Valdet Gashi u ekzekutua nga ISIS-i pasi deshi të braktiste grupin

Valdet Gashi, kampioni i dyfishtë në Kikboks, muaj më parë iu bashkëngjit grupit terrorist ISIS në Siri duke lënë prapa gruan dhe dy vajzat e tij të vogla.
Por, para disa javësh, u raportua për vdekjen e tij derisa po luftonte për ISIS-in. Megjithatë, tani mediat po raportojnë se ai nuk është vrarë derisa po luftonte përkrah ISIS-it, por pikërisht nga ISIS-i për shkak se ka tentuar të largohet nga Siria.
 
Kështu ka raportuar “IBTimes”, ndërsa ka theksuar se më parë familja e tij i ka thënë një televizioni zviceran se ai ka vdekur në Siri ndërsa nuk e kanë dhënë arsyen e vdekjes, transmeton Koha.net.
 
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), grup monitorues që zbardh aktivitetet e ISIS-it në Siri, ka thënë se Valdet Gashi është arrestuar teksa ka provuar të ik nga Alepo e Sirisë me “një grup tjetër”.
 
Më pas, kampioni i kikboksit është burgosur në qytetin Manbej në Siri dhe më vonë është vrarë nga ISIS-i, ka thënë grupi monitorues, duke u thirrur në “burime të besueshme”.
 
Megjithatë, SOHR ka thënë gjithashtu se ka pranuar edhe një informatë nga një burim tjetër se Gashi është ende i gjallë dhe po provon të ik nga Shteti Islamik.
 
Ndonëse iu bashkua ISIS-it për një qëllim, SOHR tani raporton se Gashi ishte “tronditur” nga ISIS-i pasi u zhvendos në Siri dhe ka tentuar të kthehet prapa në Gjermani menjëherë pas muajit të parë pasi iu bashkua radhëve të ISIS-it./Telegrafi
Artikulli paraprakNuk ndalen reagimet pas skandalit në Xhaminë Tetovare
Artikulli vijuesTurqi, varrosen viktimat e sulmit në Suruç