Temperaturat e larta këtë verë kanë shtuar për më shumë se 30 për qind numrin e pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e vapës tropikale që ka përfshirë vendin. Këtë e ka konfirmuar, të dielën, drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani. Ai ka thënë se për dallim nga vera e kaluar, kur numri i të paraqiturve me probleme shëndetësore për shkak të të nxehtit sillej në 150 veta, sivjet numri ka arritur në 200 veta në ditë.
”Prej fillimit të ngritjes së temperaturave, numri i rasteve emergjente është shtuar. Krahasuar me vitin e kaluar kur kishim brenda ditës rreth 130 deri 150 raste, këtë vit, numri ka arritur deri në 200 raste në ditë”, ka thënë Lenjani. Këtyre pacientëve, sipas tij, u prijnë ata që vuajnë nga sëmundjet kronike e kardiovaskulare.
Lenjani ka rekomanduar që fëmijët, pleqtë dhe personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës të mos ekspozohen në temperatura të larta të ditës, sidomos nga ora 11 deri në orën 18. Ai ka porositur edhe që të konsumojnë më shumë lëngje. Lenjani ka rekomanduar që kryeqyteti të ketë cisterna me ujë, të cilat do të ndihmonin qytetarët të flladiten edhe kur janë në rrugë. Me gjithë temperaturat e larta, Lenjani ka treguar se nuk është konstatuar asnjë vdekje, shkaku i temperaturave të larta. “Ngritja e temperaturave është faktori kryesor i cili ndikon në goditje në tru dhe në zemër”, ka shpjeguar ky mjek.
Sylë Tahirsylaj, drejtor në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, megjithëse, ka thënë se temperaturat gjatë javës që po hyjmë do të arrijnë deri në 37 gradë, ka mohuar informacionet që po jepen në medie se ato do të arrijnë deri në 40 gradë.
“Nuk ka mundësi që në Kosovë temperatura të arrijë deri në 40 gradë celsius, mirëpo betoni, asfalti e tjegullat e bëjnë të veten”, ka thënë ai.
”Temperatura maksimale do të arrihet ditën e martë, ku shkalla do të arrijë deri më 37 gradë në hije. Ndërkaq, nga dita e mërkurë temperaturat do të zbresin”, përfunduar ai./koha/kohaislame