Ymeri: Grupi punoi për t’i sjellë stabilitet Qeverisë, protestat vazhdojnë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri i është bashkuar karvanit të reagimeve ndaj rezultatit të paraqitur nga ekspertët ndërkombëtarë të Komisionit ad-hoc Ndërkombëtar për demarkacionin me Malin e Zi.

Ymeri në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se si opozitë e bashkuar për muaj me radhë kanë kundërshtuar marrëveshjen për demarkacion dhe se argumenteve të tyre iu bashkuan specialistë vendorë e njerëz të fushës e të profesionit, transmeton Koha.net. Ai gjithashtu thotë se argumenteve të tyre iu bashkëngjitën dhjetëra mijëra në protesta.

Më pas ai flet edhe për grupin për vlerësimin e demarkacionit.

“Kur thanë se po formojnë një grup për vlerësimin e demarkacionit, ne thamë se nuk do ta pranojmë, pasi nuk përfshinë në të asnjë specialist lokal. Nuk publikuan fare fushëveprimin e këtij grupi. Madje edhe ndërkombëtarët e përfshirë, nuk ishin specialistë. Ky grup punoi politikisht për t’i sjellë stabilitet qeverisë së Kosovës. Por në këto kushte, stabiliteti i qeverisë është e kundërta e stabilitetit të shoqërisë sonë”, shkruan Ymeri duke shtuar se përfundimet proqeveritare të komisionit ishin të pritura dhe të parashikuara në qëndrimin e përbashkët të opozitës.

“Ne kishim të drejtë, prandaj do të vazhdojmë me protestat. Demarkacioni në këtë mënyrë është i papranueshëm dhe kriminal ndaj Kosovës”, përfundon Ymeri.

Artikulli paraprakPërdorni celularin kur uleni në WC? Ja përse është një ide shumë e keqe!
Artikulli vijuesWindows 10 arrin 270 milionë përdorues