Varka e fundosur në Badovc nuk ka lidhje me të arrestuarit për terrorizëm

Nxjerrja e varkës së fundosur në Liqenin e Badovcit, të hënën, nuk ka të bëjë me pesë të arrestuarit nga Policia e Kosovës, të cilët dyshohen se kanë qenë duke planifikuar një sulm terrorist. Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ai ka theksuar se nuk ka diçka konkrete dhe deri në këtë fazë, sipas tij, nuk bëhet fjalë për asgjë të dyshuar në aspektin policor.
 
“Disa ditë më parë është vërejtur një barkë e fundosur dhe sot ekipet kompetente përgjegjëse të liqenit të Badovcit kanë shkuar për ta nxjerrë. Njësitet policore janë prezentë në realizimin e detyrave policore dhe ofrimit të sigurisë”, ka shtuar Kelani.
 
Ndryshe, të hënën mediat kanë raportuar se Policia në bashkëpunim me Shoqatën e peshkatarëve dhe disa zhytës kanë nxjerrë një barkë nga Liqeni i Badovcit, te shtylla e tretë ndriçuese e pendës së Liqenit.
 
Në vendin e ngjarjes janë parë forca policore, zjarrfikës si dhe zyrtarë të ujësjellësit përfshirë edhe drejtori Xhelosh Vataj.
 
Para gazetareve Vataj kishte deklaruar se po bëjnë një kontroll rutinor dhe matjen e nivelit të ujit. Kur ai u pyet nga mediat, nëse është e zakonshme që kontrollet rutinore të bëhen në prezencë të shtuar të forcave policore, Vataj ka theksuar se do të nxjerrin një barkë që është fundosur para një muaji dhe e cila i takon shoqatës së peshkatarëve. /Telegrafi/
Artikulli paraprakLive në TV! Kjo video ka tronditur botën
Artikulli vijuesTurqi: 28 të vrarë nga shpërthimi në qendrën kulturore