Armenia dhe Azerbajxhani janë duke e akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes për armëpushim, duke bombarduar pozitat ushtarake në zonën kufitare.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha sot se forcat armene e kanë shkelur armëpushimin më shumë se 120 herë gjatë 24 orëve, duke sulmuar pozitat e tyre ushtarake me granata, mitralozë, dhe me mortaja.
Nga ana tjetër, edhe ministria e Mbrojtjes e Armenisë akuzoi forcat e Azerbajxhanit për shkelje të marrëveshjes për armëpushim, duke drejtuar akuza të ngjashme.
Deklarata të ngjashme u lëshuan nga të dyja palët gjatë ditës së djeshme.
Akuzat e dyanshme vijnë në kohën kur të dyja palët arritën një armëpushim për ndalje të armiqësive, më 5 prill, i cili është mbajtur në masë të madhe.
Në fillim të prillit, Nagorno-Karabakhu,( territor brenda Azerbajxhanit që kontrollohet nga armenët etnikë), përjetoi valën më të ashpër të dhunës që nga koha e armëpushimit të vitit 1994, e cila pati ngrirë konfliktin ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, në rajonin problematik.