Vazhdon shitja e produkteve të huaja pa përshkrim të gjuhës shqipe

Mos deklarimi i mallrave me përbërje në gjuhen shqipe, rrezikon shëndetin e kosovarëve nga konsumimi i këtyre produkteve të importuara pa deklaracion.

Edhe pse kjo çështje është e rregulluar me Ligjin për Konsumatorët dhe me Kushtetutë, shumë prej produkteve ushqimore dhe të medikamenteve në tregun dhe dyqanet në Kosovë nuk kanë përmbajtje në gjuhën shqipe.
Kryeinspektori në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulëzim Syla tha se inspektorët sa herë që hasin në mallra pa deklaracion në gjuhën shqipe, ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj operatorëve ekonomik.

Ai tha se në periudhën e fundit janë evidentuar tri raste të mallrave pa deklaracion, dhe sipas tij janë gjobitur dy subjekte me dënim prej 1 mijë deri 3 mijë euro.
“Për periudhën e fundit, vetëm në muajin e kaluar kemi pasur tri raste për të cilat na kanë njoftuar Dogana për mallrat e ndryshme, ku ne nuk i kemi lejuar ta qesin në treg për shitjen e atij malli, derisa ta vendosin deklaracionin në gjuhën shqipe”, tha Syla.
Kryeinspektori në MTI tregon se kur hasin në këso lloj mashtrimesh menjëherë i tërheqin këto produkte dhe zbatojnë ligjin që parasheh gjobitjen e operatorëve ekonomik. Syla tha se në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, neni 17 përcakton se çdo mall duhet ta ketë deklaracionin ose emërtimin e mallit.

Image

“Në momentin kur hasim në këso lloj mashtrimesh, ne menjëherë i tërheqim këto produkte dhe normal që gjobiten operatorët ekonomik. Mirëpo ne kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me Doganën e Kosovës”, tha Syla.
Ndërkohë, KP gjatë një vizite që ka bërë në disa markete në Prishtinë ka identifikuar mjaft produkte që shiten deklaracion të gjuhës shqipe.
Për këtë çështje, KP morri edhe qëndrimin e Doganave të Kosovës. Zëdhënësi i këtij institucioni, Adriatik Stavileci tha se sa i përket deklaracionit të mallrave, dogana gjatë gjithë kohës ushtron kontrolle jo saktësisht për deklaracionin e mallrave, por ushtron kontrolle për të ditur sasinë, vlerën dhe numrin tarifor të produkteve të cilat janë në proces të zhdoganimit.
“Gjithmonë kur ne hasim në deklaracione, të cilat nuk janë në përputhje me ligjet në Kosovë, ne jemi të obliguar që të thërrasim Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë respektivisht Inspektoratin e MTI-së për ta trajtuar tutje këtë temë. Mund t’ju them që viteve të kaluara apo gjatë fillimit të implementimit të ligjit mbi deklaracionin ka pasur mosmarrëveshje dhe ka pasur më shumë raste të tilla, kurse tani këso lloj rastesh janë në numër shumë të vogël”, thotë Stavileci.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi tha se deri në vitin 2013, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka qenë autoriteti kompetent për zbatimin e Rregullores për Etiketim. Ai shtoi se në vitin 2013 ka hyrë në fuqi rregullorja e re që parash se mandate për të kontrolluar deklaracionin e produkteve ushqimore ka kaluar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Thaçi deklaroi se në periudhën e fundit kanë pranuar disa raste të ankesave të konsumatorëve lidhur me dyshimin për përbërjen produktit dhe për mbishkrimin në gjuhen shqipe, por të gjitha këto ai tha se i kanë transferuar në MTI për të vepruar sipas mandatit që kanë.
“Ne po ashtu kemi edhe Rregullore dhe ligje të tjera, të cilat e përcaktojnë se secili produkt komplet përbërja e tij duhet të shënohet në deklaracion, sepse konsumatori në bazë të gjitha Konventave ndërkombëtare ka të drejtë në çdo kohë të dijë dhe të njohë secilën përbërje të produktit që ai konsumon. Sepse disa përbërës mund të jenë jo të pranueshëm për shëndetin e konsumatorëve dhe në këtë formë është e obliguar që përbërja e produkteve të jetë e shënuar në deklaracion”, tha Thaçi.

Image

Ai shtoi se janë mbi 10 raste të kërkesave për verifikimin e produkteve dhe për secilin rast kanë njoftuar MTI-në. AUV ai thotë se ka autoritet vetëm me përbërjen e produktit, e cila duhet të jetë e përshkruar në deklaracion.
Përndryshe, kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku tha se janë një numër i madh i konsumatorëve, të cilët po hasin në produkte pa mbishkrime në gjuhën shqipe. Problemi më i madh sipas tij është tek produktet ushqimore dhe tek medikamentet. Lidhur me ankesat Kaqaniku tha se shumë konsumatorë nuk ankohen, sepse janë të zhgënjyer më institucionet tona, të cilat nuk ndërmarrin masat e duhura.
“Edhe pse Ligji për Konsumatorin dhe Kushtetuta e rregullon çështjen e deklarimit të mallrave për gjuhën shqipe të përmbajtjes, prapë tregtarët vazhdojnë t’i mbushin dyqanet me produkte pa deklaracion, sepse po mungon edhe inspektimi i tregut. Ky fenomen është mjaft i rrezikshëm, sepse bëhet fjalë për rrezikshmëri të konsumatorëve kryesisht nga produktet ushqimore dhe nga barnat që nuk kanë përmbajtje në gjuhën shqipe”, tha Kaçaniku.
Ai kërkoi nga mekanizmat përkatës që të ndërmarrin masa për parandalimin e këtij fenomeni negativ.

Artikulli paraprakSulm ajror në një treg në Halep, 10 të vdekur
Artikulli vijuesObama mbërrin në Gjemani për të diskutuar tregtinë e lirë me BE-në