Verifikimi i sigurisë përball AKI-në dhe Policinë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka hartuar një raport lidhur me vlerësimin e procesit të verifikimit të sigurisë në Kosovë, i cili sipas tyre, është komprometuar dhe sfiduar në masë të madhe për shkak të implikimeve politike, individuale e klanore në vendimet për dhënien apo refuzimin e lejes së sigurisë për shërbyesit civil dhe personelin e policisë dhe inteligjencës
Sipas një komunikate nga kjo Qendër, procesi i verifikimit të sigurisë përbën një ndër shtyllat më të rëndësishme të sektorit të sigurisë në vend.
 
Megjithatë, pavarësisht se kemi të bëjmë me një sistem të ri të verifikimit, ai është komprometuar dhe sfiduar në masë të madhe për shkak të implikimeve politike, individuale e klanore në vendimet për dhënien apo refuzimin e lejes së sigurisë për shërbyesit civil dhe personelin e policisë dhe inteligjencës.
 
“Si rrjedhojë, raporti identifikon defektet në implementimin e Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë si dhe dobësitë në definimin e vendimeve për refuzimin e lejeve të sigurisë. Pasojat e brishtësisë së sistemit të verifikimit të sigurisë kanë ndikuar në përplasje në mes të AKI-së dhe Policisë së Kosovës; moszbatim të vendimeve nga një pjesë e kreut të Policisë; mungesë të mbikëqyrjes parlamentare si dhe mosprocedim të lëndëve kontestuese në gjykatat e Kosovës. Sistemi i verifikimit të sigurisë është degraduar deri në atë masë sa që edhe Raporti i Progresit i KE-së për vitin 2014 i referohet dobësive në këtë sistem dhe rekomandon tek institucionet e Kosovës (Qeveria e Kosovës, dhe Kuvendi i Kosovës) për fillimin e adresimit të sfidave, me te cilat përballet procesi i verifikimit të sigurisë në Kosovë. Shqetësimet për verifikimin e sigurisë janë shprehur nga deputetët, personat e verifikuar si dhe ekspertët e sigurisë”, thuhet në komunikatë.
 
Raporti rekomandon zhvendosjen e Departamentit të Verifikimit të Sigurisë nga AKI.
 
QKSS ka listuar tre alternativa mbi bazën e së cilave njëra do të duhej të konsiderohej gjatë procesit të ndryshimit të Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, siç është themelimi i një departamenti në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, themelimi i një departamenti në kuadër të Këshillit të Sigurisë së Kosovës apo themelimi i një drejtorie apo agjencie në kuadër të Kuvendit të Kosovës.
Artikulli paraprakDhoma e lajmeve ankohet për censurë dhe propagandë nga kryeredaktorët e RTK-së
Artikulli vijuesShtatë të vërteta për gurët në veshka.