Veseli: Nuk ka demokraci në Kosovë pa prezencën e opozitës në Kuvend

PRISHTINË (AA) – Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës është vendosur që seanca e radhës të mbahet më 24 mars. Mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit është bojkotuar plotësisht nga partitë opozitare, madje prezent nuk ishte as nënkryetarja e Kryesisë nga radhët e Vetëvendosjes, Aida Dërguti, e cila kishte marrë pjesë në mbledhjet e kaluara, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentari Kadri Veseli njoftoi se në seancën e radhës do të shqyrtohen dy projektligje dhe tri raporte të komisioneve parlamentare, ndërsa si pikë kryesore do të jetë zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, zgjedhje kjo e cila kishte dështuar në seancën e kaluar.

Lidhur me këtë, Veseli tha se, menjëherë kishte biseduar me kryeministrin e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtar për të bërë zgjidhje urgjente për të përmirësuar situatën në Prokurimin Publik, sektor ky i cili është në shënjestër të kritikave të mëdha drejtuar institucioneve të Kosovës nga organizatat ndërkombëtare, si dhe një prej kushteve që duhet plotësuar për liberalizmin e vizave.

Si zgjidhje të përkohshme, Veseli ka propozuar që Bordi i OSHP-së të udhëhiqet nga një kompani profesionale e huaj.

Lidhur me mungesën e opozitës gjatë punimeve të Kuvendit dhe nëse pozita do t’i bëjë ftesë tri partive opozitare për tu kthyer në Kuvend, kryeparlamenatri i Kosovës u përgjigj se shumë shpejtë, do të ketë një iniciativë konkrete dhe ftesë serioze për kthimin e tyre në Kuvend.

Sipas tij, pa opozitë demokracia në Kosovë nuk ka kuptim.“Nuk ka demokraci në Kosovë pa pasur pozitë dhe opozitë. Opozita është me rëndësi të jashtëzakonshme, por edhe ata duhet që ta kuptojnë rolin e tyre, në mënyrë pozitive, kurse në të njëjtën kohë ne të gjithë duhet të respektojmë edhe vullnetin e qytetarëve dhe institucioneve. Pastaj, me marrëveshje çdo send është arritur, me marrëveshje bashkë e kemi shpallur pavarësinë, me marrëveshje jemi çliruar, me marrëveshje mund të arrijmë çdo gjë bashkërisht, por kështu të ndarë dhe me ultimatume, assesi” tha Veseli.

Ai hodhi poshtë mundësin e caktimit të zgjedhjeve të parakohshme, por theksoi se të dyja palët do të punojnë seriozisht, sinqerisht dhe bashkërisht që të dilet nga kjo krizë.
Lidhur me takimin e djeshëm me dy anëtarët e Komisionit ad hoc të ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin e demarkacionit, Fletcher M. Burton dhe Herbert Wilmes, kryeparlamentari Veseli theksoi se ata janë ftuar nga Presidentja Jahjaga që ta vlerësojnë Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Në fund, kryetari i Kuvendit të Kosovës ka dënuar djegien e veturave të institucioneve zyrtare, duke i cilësuar si akte të papranueshme dhe të drejtuara kundër pavarësisë së Kosovës, ndërsa kryerësit e këtyre veprave i ka cilësuar si njerëz që i dpshirojnë të keqen këtij vendi dhe popullit.

 

Artikulli paraprakPresidenti Ivanov priti në takim Sekretarin shtetëror të Vatikanit, Parolin
Artikulli vijuesZv/kryeministri Besimi takoi shefin e diplomacisë austriake, Kurz