Vështirësitë e bartjes së shamisë në Malin e Zi

Vështirësitë e bartjes së shamisë në Malin e Zi

Nxënësja me shami shkakton debate në Malin e Zi

Teksa vendimi i një adoleshenteje për t’u mbuluar me shami në klasë shkaktoi debate në Malin e Zi dhe nxiti diskutime të ashpra rreth lirisë së besimit…

Një vajzë 16-vjeçare nga qyteti bregdetar i Tivarit ka ndezur një debat të ashpër në Malin e Zi pasi vendosi të marrë pjesë në orët e mësimit e mbuluar me shami – rasti i parë i njohur në vend.

Pavarësisht se administrata e shkollës nuk kundërshtoi, në fund të dhjetorit, vajza që do i referohemi vetëm si E.K nuk mund të merrte pjesë në disa orë mësimi, që i jepnin mësues të cilët e konceptonin një veshje të tillës si të papërshtatshme nëse jo të paligjshme.

Rasti ka shkaktuar që atëherë polemika në Malin e Zi, jo vetëm nëse janë të lejuara simbolet fetare në shkollat shtetërore, por edhe nëse “islami radikal” paraqet një kërcënim për një shoqëri kryesisht të krishterë dhe laike.

Në një intervistë për BIRN, babai i vajzës, Medo Kuc, tha se familja nuk donte kurrë që shalli i saj i kokës të bëhej një shkak i diskutimit. “Vajza ime është shumë e mërzitur prej gjithçkaje që po ndodh,” tha ai për BIRN në Tivar.

“Ajo është bërë ‘një histori’ në media. Ajo donte vetëm të bënte detyrën sipas besimit,” shtoi ai.

Kuc i tha BIRN se vajza e tij ishte e vendosur të vazhdonte të vishte një shami në shkollë, pjesërisht si shenjë respekti për nënën e saj që i vdiq në një aksident treni në 2006 dhe e cila mbante një perçe. Vëllai i saj vdiq në të njëjtin aksident.

Për vite të tëra, vajza i kërkoi familjes së saj leje që të mbulonte kokën.

Babai thotë se ajo është e mërzitur nga pretendimet që thonë se u detyrua të vishte një shami, se ishte një ‘armë njerëzore në duart e ekstremistëve islamikë’ apo se kishte mbuluar kokën për të provokuar dhe zemëruar njerëzit.

“Përkundrazi, bashkëmoshatarët e pranuan shumë mirë. Nuk pati probleme me nxënësit e tjerë në klasë derisa disa nga mësuesit filluan të bënin protestë për një shami koke në shkollë,” tha ai.

Pasi ata nuk pranuan të jepnin mësim në klasën e saj në disa raste, një disa prej tyre paraqitën një iniciativë përpara Gjykatës Kushtetuese, ku kërkonin një vendim për ligjshmërinë e veshjes së perçeve dhe shalleve në shkollat publike.

Mësuesit protestues ishin të mendimit se ligji i arsimit e ndalon në mënyrë strikte veshjen e çdo simboli fetar në shkollat publike.

Në përgjigje të mësuesve, Komuniteti Mysliman në Malin e Zi thotë se një marrëveshje e arritur me qeverinë në 2012 lejon veshjen e shamisë së kokës në shkollë. Sipas tyre, marrëveshja ndalon çdo lloj diskriminimi ndaj njerëzve që veshin një kapelë apo shall si pjesë e integruar e veshjes së zakonshme.

Paradoksalisht, komuniteti kryesor i krishterë në Malin e Zi, Kisha Ortodokse Serbe, gjithashtu thotë se mbështet të drejtën e nxënësve për të veshur një shall në shkollë, duke argumentuar se është pjesë e të drejtës për lirinë e besimit.

Ndërsa drejtoria e shkollës ka heshtur, Ministria e Arsimit në deklaratën zyrtare më të fundit nga 22 janari, gjithashtu e shmangu anshmërinë.

Ministria ka theksuar vetëm rëndësinë e zhvillimit të procesit mësimor sipas planit, duke rikujtuar se Mali i Zi është “një vend multi-fetar ku liria e besimit është e garantuar”.

Pavarësisht se Mali i Zi është një shtet laik, veshja e një shalli nuk është e pazakontë në zonat rurale në veri të vendit ku jeton një popullatë me shumicë myslimane.

Myslimanët përbëjnë rreth 20 për qind të popullatës së Malit të Zi dhe janë shumë të përqendruar në disa pjesë veriore dhe lindore të vendit. Shumica janë boshnjakë ose shqiptarë etnikë.

Shalli tradicional mysliman në Malin e Zi është gjithashtu i ndryshëm për nga stili sesa ato që mbahen në vendet arabe. Është më i shkurtër dhe e nxjerr të gjithë fytyrën në pah. Pak femra veshin të tilla veshje në rrugët e qendrës së vendit ose në bregdet.

Pikëpamjet e ndryshme mbi këtë çështje janë veçanërisht të fuqishme në Turqi ku një qeveri islamike e moderuar është e vendosur të kthehet pas nga laicizmi tradicional. Rreth dy e treta e grave turke, duke përfshirë edhe gratë dhe vajzat e kryeministrit dhe presidentit, tani mbulojnë kokën.

Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, babai i adoleshentes që mban veshur shaminë e kokës tha se ka frikë se vajza e tij do të kalojë një periudhë të vështirë teksa lufton për ato që i sheh si të drejtat e saj.

Ai i mohoi kategorikisht pretendimet se ajo kishte filluar të vishte një shami nën presionin e partive politike, ose se paguhej për ta bërë këtë. “Është thjesht e pavërtetë. Ajo vendosi të vishte shaminë pa asnjë ndikim dhe nuk do të heqë dorë nga kjo,” tha Kuc.

Dusica Tomovic | BIRN 

Artikulli paraprakVështirësitë e bartjes së shamisë në Malin e Zi
Artikulli vijuesPacolli: LDK refuzoi projektligjin e AKR'së për Trepçën