Vetëvendosje përshëndet rekomandimin për vizat

Lëvizja Vetëvendosje përshëndeti vendimin e Komisionit Evropian për të rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa u shpreh se privimi i deritashëm i qytetarëve të Kosovës nga lëvizja e lirë brenda zonës Schengen ka qenë i padrejtë.

Vetëvendosje shprehet se qytetarët nuk duhet ta paguajnë çmimin e krimit të organizuar e korrupsionit të politikanëve në pushtet, me të cilët eksponentë të ndryshëm ndërkombëtarë (përfshirë ata të BE-së) kanë punuar ngushtë.

“Ne e përshëndesim rekomandimin për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës. Mirëpo, ne duhet të këmbëngulim që trajtimi i vendeve të ndryshme të Ballkanit të bëhet i njëjtë për të gjithë, dhe jo të përdoren kute të ndryshme varësisht nga ndikimi e interesat”, thuhet në reagimin e Vetëvendosje.

“Kërkesa që Republikës së Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi para se çështja e liberalizimit të shkojë tek Parlamenti Evropian, është e padrejtë, kur merret parasysh sa e dëmshme është marrëveshja aktuale me Malin e Zi. Një kërkesë të tillë nuk e ka pasur Mali i Zi kur i janë hequr vizat qytetarëve të atij vendi e as vendet tjera. Republika e Kosovës nuk e ka të demarkuar as kufirin me Serbinë. Por kjo nuk është vënë si kërkesë. Nëse kufijtë e demarkuar qartë janë kërkesë e zakonshme atëherë është dashur që të kërkohet demarkimi i të gjithë kufijve ndërkombëtar të Kosovës. Nëse jo atëherë as ky me Malin e Zi nuk duhet të jetë si kërkesë shtesë. Lëvizja VETËVENDOSJE! beson në parimet e vlerat si demokracia, liria e barazia, që themelet e tyre i kanë në kontinentin e vjetër”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Vetëvendosjes. /Telegrafi/

Artikulli paraprakRekomandimi i liberalizimit të vizave – ja çfarë thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian
Artikulli vijuesAdiloglu: Pas UEFA-s dëshirojmë që Kosova të pranohet edhe në FIFA