Çka presin SHBA dhe BE nga dialogu?

Deri te takimi i ardhshëm i Beogradit dhe Prishtinës pritet të arrihen marrëveshjet parimore në bazë të të cilave do të bëhet transparent financimi i institucioneve në veri të Kosovës, shkruajnë mediat e Beogradit.
“Tash për tash nuk janë të njohura modelet”, shkruan “Blic” në lidhje me vizitën e Sekretares amerikane Hillary Clinton dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Sipas burimeve të ditores, SHBA-të i japin mbështetje kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, meqë atij i është dhënë mbështetja e shumicës në Kuvendin e Kosovës Por, gjatë bisedimeve pritet që Thaçi “në mënyrë kreative të angazhohet për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës”:

“Pritet progresi tek menaxhimi i integruar i kufijve”, shkruan gazeta.

Tema e bisedimeve, siç thuhet, do të jetë edhe përfaqësimi i Kosovës në takimet ndërkombëtare e jo vetëm rajonale, ndërsa për zgjidhjen e kësaj çështjeje do të dëgjohet së pari Beogradi.

Është e mundur që të propozohet po ashtu hapja e zyrave për ndërlidhje në Beograd dhe në Prishtinë. Ndërsa, thuhet se mbështetje për bisedime duhet të jap edhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic.

“BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara këmbëngulin në krijimin e platformës të mbështetur nga udhëheqja shtetërore serbe. Pritet që nga Kuvendi i Serbisë deri në fund të vitit të miratohet dokumenti ku, krahas platformës, do të ceket edhe vullneti i mirë për të negociuar”.

Në anën tjetër, ditorja “Danas” shkruan se gjatë një brifingu në Washingto, para vizitës së zyrtarëve nga SHBA dhe BE, një zyrtarë i lartë i Departamentit të Shtetit ka shprehur kënaqësi që “Qeveria e re serbe ka bërë të qartë se plotësisht e ka ndërmend të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. “

Departamenti i Shtetit gjithashtu beson se takimi i fundit i Thaçi-Dacic në Bruksel paraqet një “hap të rëndësishëm para”.

“Mendojmë se është shumë pozitive që liderët ishin të gatshëm të ulen për herë të parë në të njëjtën dhomë dhe flasin me njëri-tjetrin. Ata kanë rënë dakord për të vazhduar dialogun”, tha zyrtari amerikan. /Telegrafi/

Artikulli paraprakTiranasit me 50 mijë flamuj presin Hillary Clinton
Artikulli vijuesVrasësja e sëmurë