Lëvizja Vetëvendosje, përmes një aksioni simbolik të realizuar në Prishtinë, ka reaguar ndaj pushimeve siç i kanë quajtur, “luksoze” të djalit të Presidentit.
VV thotë se përderisa në Kosovë papunësia kalon shifrën prej 30%, ndërkohë më shumë se 17% e qytetarëve e kalojnë ditën me më pak se 2 euro në ditë, në anën tjetër kemi jetën luksoze të qeveritarëve që nuk ia dinë fundin pasurisë së tyre.
Prandaj, duke e parë gjendjen e rëndë financiare të qytetarëve të Kosovës, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, përmes vendosjes së billboardeve, paraqitën, siç thonë, “hendekun e thellë mes mjerimit në Kosovë si pasojë e qeverisjeve me mendësinë e Hashim Thaçit dhe luksit të djalit të Hashim Thaçit, i cili shëtit gjithë botën dhe bën një jetë të tillë vetëm pse është i biri i Presidentit”.
“Në këto kushte të ndarjes së thellë shoqërore, liberalizimi i vizave, duke falur edhe tokë përmes marrëveshjes së demarkacionit, do t’i shërbente djalit të presidentit dhe llojit të tyre që të shijojnë botën, ndërkohë, qytetarët e zakonshëm vazhdojnë të përballen me mbijetesë”, thuhet në komunikatën e VV-së.
Tutje, VV thotë se në Shqipëri, edhe pse tashmë ka liberalizimin, janë mbi 11 mijë raste të ndalimit për t’u futur në BE “për shkak se të njëjtit s’kanë të holla të mjaftueshme për të arsyetuar udhëtimin e tyre”.
“Një liberalizim i këtillë i shërben vetëm bijve të politikanëve që edhe ashtu, siç po e shohim përmes fotografive, po e shijojnë botën”, përfundon komunikata e VV-së.