Videoja, Romney kundër paqes në Lindjen e Mesme

Një tjetër pjesë e videos së fshehtë që tregon Mitt Romneyn duke diskretituar mbështetësit e Barak Obamës ka dalë në dritë, e këtë herë zbardh komentet e ashpra të kandidatit republikan në drejtim të palestinezëve.

Romney dëgjohet t`u thotë donatorëve se Lindja e Mesme do të mbetet një problem i pazgjidhur, dhe se palestinezët janë të angazhuar për shkatërrimin e Izraelit.

“Ata nuk e duan paqen, nuk kanë asnjë interes në arritjen e saj. Dhe ndjekja e së njëjtës rrugë drejt një stabilizimi të zonës, është thuajse e pakonceptueshme”, janë fjalët e tij që bashke me komentet e mëhershme ku simpatizantët e Obamës përshkruheshin si viktima, e thellojnë akoma më shumë shqetësimin e ish-guvernatorit të Massachusets-it për situatën delikate.

Komentet e Romney-t në videon e publikuar nga revista e pavarur investigative “Mother Jones” lënë gjithashtu të kuptohet se në këndvështrimin e tij, rifillimi i procesit të paqes në Lindjen e Mesme dhe objektivi “Dy shtete, dy popuj”, pak gjasa kanë të vihen në jetë.

Reagimi i Shtëpisë së Bardhë për pjesën e parë të filmimit, erdhi nëpërmjet zëdhënësit Jay Carney. “Kur je President i Shteteve të Bashkuara, je president i të gjithë popullit”, u shpreh ai, e jo vetëm i njerëzve që votuan për ty”.

Romney i kish përshkruar në takim 47% të amerikanëve që janë me Obamën si njerëz të varur nga qeveria, që besojnë se administrata duhet të kujdeset për ta, që mendojnë se kanë të drejtën e sigurimeve shëndetësore e nuk paguajnë taksa.

“Këta amerikanë unë nuk do t`i bind kurrë të marrin përgjegjësitë që u takojnë”, dëgjohet të thotë Romney.

Publikimi i videos së fshehtë vjen vetëm disa javë përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, ku rivali i tij demokrat kërkon një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë./tch/kohaislame

Artikulli paraprakSiri: Të rinjtë krishterë marrin armët kundër Assadit
Artikulli vijuesAnkesë kundër revistës që publikoi karikaturat e Muhamedit (alejhi selam)