Videolojërat e dhunshme nxitin sjellje agresive

Studimi – Një analizë e mbi 300 studimeve mbi videolojërat ka zbuluar se në fakt lojërat e dhunshme nxisin agresivitet te lojtarët, por kur kombinohen edhe me faktorë të tjerë
Nëse videolojërat kanë një efekt dëmtues mbi lojtarët apo jo, ky ka qenë një debat i hapur prej vitesh. Por tani, një analizë e pothuajse një dekade studimesh ka arritur në përfundimin se ekspozimi ndaj videolojërave të dhunshme është një faktor rreziku për rritjen e agresivitetit.

Ekspertët që kryen analizën pohuan se nuk ka prova që tregojnë se lojëra të dhunshme si “Callof Duty” dhe “Grand Theft Auto” të çojnë drejtpërdrejt në akte kriminale.

Zbulimet kanë shtuar thirrjen nga Lidhja Amerikane e Psikologjisë (APA) për më tepër kontroll prindëror në lidhje me skenat e dhunshme të lojërave.

Një raport i APA-s u shpreh se kërkimi tregon një lidhje konsistente midis përdorimit të lojërave të dhunshme dhe shtimit të sjelljes agresive. Po ashtu, videolojërat ulin sjelljen sociale, solidaritetin dhe ndjeshmërinë ndaj agresionit.

Raporti tha se një person nuk sillet agresivisht apo dhunshëm nga një ndikim i vetëm. Duhet një akumulim i faktorëve të rrezikut, të cilat rezultuan në një sjellje të tillë.

Lidhja Amerikane e Psikologjisë i ka nxitur krijuesit e lojërave të rrisin nivelet e kontrollit prindëror, nëse lojërat përmbajnë dhunë. Në një takim në Toronto të Kanadasë, lidhja bëri gjithashtu thirrje për një sistem të vlerësimit të videolojërave, i cili do të masë shkallën e dhunës dhe do të caktojë se cilat lojëra janë më të mira për mosha të caktuara dhe zhvillimin psikologjik përkatës.

Doktor Mark Appelbaum, i cili drejtoi grupin e punës së APA-s, tha: “Shkencëtarët kanë hetuar përdorimin e videolojërave të dhunshme për më shumë se dy dekada, por deri më sot ka pak kërkime që lidhen me videolojërat e dhunshme dhe ndikimin e veprimeve kriminale te njerëzit”.

“Megjithatë, lidhja midis dhunës në videolojëra dhe agresiviteti i rritur te lojtarët, është një nga më të studiuarit dhe po ecën mirë në këtë drejtim”, tha ai.

Ka disa faktorë rreziku për sjellje të dhunshme. Shkencëtarët duhet të kryejnë studime që vërejnë pasojat e luajtjes së videolojërave nga njerëzit që janë më të mundshëm të preken nga agresioni, për shkak të një kombinimi të faktorëve të rrezikut.

Për shembull, si mund të ndikojë ndërthurja e depresionit me videolojërat e dhunshme?

Grupi i punës kreu një rishikim të më shumë se 300 studimeve për videolojërat e dhunshme të publikuara nga viti 2005 deri në 2013.

“Ndërsa ka variacione mes studimeve individuale, një ngjashmëri është shfaqur për shumë vite te kërkimet e fushës dhe që ka forcuar besimin e kërkuesve se është një e vërtetë e përgjithshme”, tha doktor Appelbaum.

“Si edhe në shumë fusha të tjera të shkencës, panorama e prezantuar nga ky kërkim është më komplekse sesa informacioni i reduktuar që nxirret për publikun e gjerë”, tha ai.

Psikologët kanë identifikuar një numër mangësish në studimet e kryera, si për shembull: nuk është parë ndryshimi i sjelljes te djemtë dhe vajzat që luajnë videolojëra të dhunshme.

Ata gjithashtu kritikuan mungesën e kërkimeve mbi pasojat e videolojërave te fëmijët më të vegjël se 10 vjeç ose ndikimin e tyre në zhvillimin e fëmijëve.

Kundërstudimi

Vitin e shkuar, një studim nga të tjerë kërkues nuk zbuloi lidhje midis ekspozimit ndaj akteve të tilla agresive në media dhe botën reale.

Kërkuesit studiuan historinë e filmave të dhunshëm të publikuar nga viti 1920 deri në vitin 2005 dhe krahasuan normat e vrasjeve.

Ata gjithashtu panë numrin e adoleshentëve që luanin lojëra kompjuteri dhe dhunën e shfaqur prej tyre nga viti 1996 deri në vitin 2011.

Studimi që u publikua në Revistën e Komunikimit, është i pari që sugjeron se konsumi i dhunës në filma dhe videolojëra është rritur me kalimin e kohës, por ka pak prova se kjo ka shkaktuar problem për shoqërinë.

Christopher Ferguson nga Universiteti Stetson tha: “Shoqëria ka një sasi të limituar burimesh dhe vëmendjeje për t’iu përkushtuar problemit të pakësimit të dhunës.

Ka një rrezik se identifikimi gabim i problemit, si dhuna në media, mund të shpërqendrojë shoqërinë nga shqetësime më të mëdha si varfëria, arsimimi, pabarazitë profesionale dhe shëndeti mendor”.

*Burimi: Daily Mail

Artikulli paraprakESAT STAVILECI NUK KA VDEKUR, ATË E KANË VRARË!
Artikulli vijuesSa ka ndihmuar Turqia popullin sirian?