Viktimat e varfërisë, muslimanët Rohingya përjetojnë dramë të vërtetë në oqean

0
191
Mijëra pjesëtarë të komunitetit minoritarë Rohingya të cilët nga Mianmari janë larguar për në Bangladesh jetojnë në kampe të pabanueshme refugjatësh, ndërsa në muajt e fundit janë bërë edhe viktima të zinxhirit të kontrabandistëve të qenieve njerëzore, shkruan Anadolu Agency (AA).
 
Zyrtarët lokalë dhe banorët duke folur me gazetarin e Anaodlu Agency thanë se kontrabandistët i mbledhin emigrantët e mashtruar në brigjet e Bangladeshit në rripin kufitar ndërmjet qyteteve Chittagong dhe Teknaf, dhe se nga aty në anijet e peshkimit i dërgojnë deri tek anijet për të cilat besojnë se do t’i transportojnë më tej deri në Tajlandë.
 
– Rrugë e rrezikshme drejt Tajlandës –
 
Zahid Husein, është 28-vjeçari i cili në Bangladeshi u shpërngul si djalë, ndërsa sot jep mësim në shkollë të një kampi refugjatësh. Ai pretendon se kontrabandistët së pari i bindin, dhe pastaj i detyrojnë Rohingyat e rrezikuar të nisen në rrugën e rrezikshme drejt Tajlandës apo destinacionit të tretë dhe që kryesisht i dërgojnë në portet Chittagong apo Cheradip.
 
Kreu i Gardës Bregdetare në Teknaf Sahid Husein Chowhdury pretendon se kontrabandistët transportonin viktimat e tyre gjatë natës në barka të vogla, ndërsa pastaj i ngarkojnë në anijet e ankoruara më të mëdha.
 
“Kontrabandistët përdorin anijet e vogla dhe të shpejta të cilat vështirë që mund të vërehen. Ekuipazhi është gjithmonë i armatosur”, ka thënë Chowhdury.
 
Mahmun Mullah, është 19-vjeçari i cili ka arritur të hidhet nga anija kontrabande dhe të shpëtojë. Pretendon se anijet e ankoruara kontrollojnë tetë deri dhjetë rojet e armatosura mirë, të cilët kërcënojnë me vdekje të gjithë ata që nuk dëgjojnë urdhrat e tyre.
 
Anijet e kontrabandës transportojnë muslimanët Rohingya deri në bregdetin në zonat pyjore në zonën kufitare Tajlando-Malajzeze, dhe pastaj i mbajnë në kampet sekrete ku janë detyruar të bëjnë punë të vështira. Kontrabandistët pastaj arrijnë në kontakt me familjet e të mashtruarve dhe kërkojnë dëmshpërblim për ta. Shumica e viktimave ose vriten ose shiten si skllevër grupeve kriminale në Tajlandë apo Malajzi.
 
– Edhe shtetasit e Bangladeshit në shënjestër të kontrabandistëve –
 
Shumica e viktimave të zinxhirit të trafikantëve janë muslimanët Rohingya, por në mesin e tyre është numër i madh i shtetasve të Bangladeshit të cilët vijnë nga pjesët e varfra veriore dhe në këtë udhë të rrezikshme nisen me shpresën se në Tajlandë apo Malajzi do t’i presin puna dhe një e ardhme më e ndritshme.
 
Ditë më parë policia tajlandeze ka zbuluar lokacionin e një kampi i fshehur në pyjet në rajonin Sonkhla dhe varrezën masive me mbetjet mortore e 32 personave për të cilët dyshohet se janë emigrantët nga Mianmari.
 
Autoritet tajlandeze kanë reaguar ashpër duke urdhëruar ndalimin e ankorimit në portet të anijeve ku në ujërat e hapura të Detit Andaman dhe Gjirit Bengal kanë mbetur mijëra emigrantë.
 
Sipas të dhënave të UNHCR, në detin e hapur në Azinë Jugperëndimore në anijet vazhdojnë të qëndrojnë rreth 2.000 emigrantë të braktisur nga Mianmari dhe Bangladeshi. Ekipet e shpëtimit nën lejen e vendeve të rajonit deri më tani kanë shpëtuar mbi 4.000 emigrantë, por dramës së emigrantëve në Oqeanin Indian akoma nuk po i duket fundi.