A do të tentojë kryeministri Nikolla Gruevski përsëri në mënyrë deklarative të “mashtrojë” Bashkimin Evropian lidhur me përmbushjen e konkluzave të Brukselit që kanë të bëjnë me depolitizimin e gjykatave, administratës, policisë, mediave dhe institucioneve tjera, shkruan Zhurnal.
Bisedimet mes grupeve te punes ende nuk japin asnje rezultat konkret. Me një fjalë Brukseli kërkon që “ushtria e VMRO-së” e angazhuar në këto institucione të largohen nga postet kyçe që drejtojnë, në të kundërtën Maqedonia do të vazhdojë të mbetet shtet partiak i partisë VMRO-DPMNE.
Raporti i zyrtarit të lartë të Këshillit të Evropës, Rajnhard Pribe edhe pse është më i ashpër deri më tani për Maqedoninë është vështirë të realizohet deri në tetor për shkak të obstruksioneve që mund ti bëjë partia në pushtet VMRO-DPMNE-ja, vlerësojnë analistët politik për Zhurnal.
Ekspertët mendojnë se kësaj radhe Gruevski do ta ketë më vështirë të “mashtrojë” BE-në sepse tashmë argumentet e fuqishme janë në anën e opozitës maqedonase. Sipas tyre, në katër muajt e ardhshëm duhet të bëhen ndryshime kadrovike në institucionet kyçe të shtetit siç janë: policia, gjykata, dogana, tatimet, prokuoria, media e kështu me radhë.
Analisti politik Albert Musliu është optimist se Gruevski kësaj radhe nuk do të mund të gënjejë Bashkimin Evropian pasi argumentet janë në dorë të opozitës. “Hapësira për të mashtruar BE-në tashmë është shumë më e vogël. Argumentet janë edhe në dorën e opozitës maqedonase. Mendoj se në periudhën në vazhdim pritet një qasje më e ashpër e faktorit ndërkombëtar. Tani edhe Gruevski ka gatishmëri që të përmbushen këto kërkesa të Brukselit pasi nuk mund ti ikë përgjegjësisë. Duhet të bëhen ndryshime kadrovike në institucionet kyçe të shtetit që të krijohen parakushte që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme”, deklaroi për Zhurnal, analisti politik Albert Musliu.