Vrasja e Flamurit, arrestohet Arsim Boka

0
187

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një të dyshuar për vrasjen e Flamur Bokës e ndodhur me 3 janar në Grykën e Caralevës, rrugës e cila të dërgon në fshatin Grajqevc të Suharekës.
Burimet e Gazetës Tribuna brenda Policisë së Kosovës kanë thënë se personi i arrestuar të hënën është Arsim Boka, një kushëri i viktimës.

Arrestimin e një të dyshuari për vrasjen e Flamur Bokës e ka konfirmuar për gazetën edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale në Prizren, Hazir Berisha.

“Pas hetimeve intensive të zhvilluara nga njësiti i hetimeve, të hënën është arrestuar edhe një i dyshuar tjetër, i cili e qon në katër numrin e të arrestuarve për vrasjen e Falmur Bokës”, ka thënë Berisha.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizrenit, sot ia ka caktuar një muaj paraburgim Idriz, Remz dhe Xhavit Bokajt nga fshati Grejçevc i Suharekës. Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej datës 3 janar.

“Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal, se me datën 3 janar 2015, rreth orës 15:30 në Grykën e Caralevës- në rrugën e fshatit Grejqevc Komuna e Suharekës, në afërsi të lokalit “Qarri” për shkak të mosmarrëveshjeve dhe ngatërresave familjare me të dëmtuarit, me dashje privojnë nga jeta viktimën Flamur Bokajn”, thuhet në një njoftim të Gjykatës Themelore në Prizren./Gazeta Tribuna/