Vritet një mjeke në Zubin Potok

Mjekja me inicialet A.D. nga Lipjani është vrarë sonte në vendin e saj të punës në Shtëpinë e Shëndetit në Zubin Potok.

Shefi rajonal i operativës, Zhelko Bojiq, në një deklaratë për “Tanjugun”, ka thënë se mjekja është vrarë në vendin e saj të punës në Qendrën Mjekësore në Zubin Potok në orën 20.45.

Ndaj mjekes ka qëlluar me armë zjarri dorasi V.N. ,të cilin në ndërkohë e ka arrestuar policia.

Tek i dyshuari, siç ka bërë me dije Bojiq, është gjetur një armë zjarri me të cilën dyshohet se e ka kryer vrasjen.

Drejtori i Qendrës Mjekësore në Mitrovicë, Milan Ivanoviq, ka thënë se ka derdhur shumë gjak dhe në spitalin e Mitrovicës është sjellë pa shenja jete.

Aktualisht, motivi i kësaj vrasjeje nuk dihet, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë duke kryer hetimet në vendin e ngjarjes.

Lajmin e ka konfirmuar për Indeksonline, zv/komandanti i Policisë së Kosovës për veri, Besim Hoti.

“Mjekja kujdestare, në shtëpinë e shëndetit në Zubin Potok, diku rreth orës 21:00, është qëlluar për vdekje me armë zjarri. Vdekja e saj është konstatuar dhe konfirmuar prej mjekëve në Qendrën Spitalore në Veri. I dyshimti është arrestuar jo larg vendit të ngjarjes dhe është sekuestruar arma me të cilën besohet se është kryer vrasja ”, tha Hoti./Telegrafi

Artikulli paraprakKosova dhe investimet e mundshme Amerikane
Artikulli vijuesInfeksionet rrezikojnë pacientët në QKUK-së