Vritet një ushtar jordanez në kufi me Sirinë

Një ushtar jordanez u vra sot në përleshje me militantë të armatosur që përpiqeshin të kalonin kufirin për në Siri, ndërsa Lidhja Arabe i minimizoi shanset për arritjen e një marrëveshjeje këtë javë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Ministri i Informacionit i Jordanisë, Sameeh Maaytah tha se ushtari ishte pjesëtari i parë i ushtrisë jordaneze që vritet gjatë dhunës që lidhet me luftën civile në Siri. Ai vdiq në përleshjet me luftëtarë islamikë që përpiqeshin të hynin ilegalisht në Siri, për t’u bashkuar me rebelët që luftojnë kundër qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad. Maaytah nuk tha në se militantët ishin jordanezë, apo luftëtarë të huaj që përpiqeshin të hynin në vendin fqinj të përfshirë nga tensionet.

Një numër islamikësh të huaj kanë luftuar në Siri së bashku me rebelët. Ndërkohë, Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Ahmed Ben Helli, tha se janë të pakta shpresat për zbatimin e një marrëveshje paqeje në Siri gjatë festës së Kurban Bajramit./voa

Artikulli paraprakShkencëtarët e dënuar: parashikimi i tërmeteve është i pamundur.
Artikulli vijues100 VJET NGA LUFTËRAT E BALLKANIT