Washingtoni mbështet KFOR-in e EULEX-in në veri

0
159

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar dhunën kundër KFOR-it dhe EULEX-it të premten në veri të Kosovës, pas reagimit të serbëve lokalë kundër heqjes së një barrikade rrugore në fshatin Rudar, ku të plagosur mbetën dy ushtarë gjermanë.

 

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, siç ka transmetuar Tanjugu, ka vënë në dukje se SHBA-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë të ndalojë mbështetjen materiale për institucionet paralele në Kosovë. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit ka thënë se SHBA-ja mbështet plotësisht KFOR-in dhe EULEX-in për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në Kosovë, dhe në të dy drejtimet e kufirit Kosovë-Serbi.

 

“Liria e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në interes të Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me aspiratat evropiane të dy vendeve. Bllokadat e rrugëve, barrikadat dhe dhuna i shërbejnë përkeqësimit të jetës së përditshme të njerëzve në Kosovë dhe pengojnë lëvizjen e lirë”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Ai është shprehur se SHBA-ja vazhdon të monitorojë me shumë kujdes zhvillimin e situatës në veri të Kosovës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë dhe të përmbahen nga retorika dhe veprimet nxitëse dhe të mundësojnë lirinë e lëvizjes./koha/kohaislame