Withers ua dërgon edhe një letër shqiptarëve

 

Ish-ambasadori Amerikan John Withers i drejtohet sërish shqiptarëve me një tjetër letër të hapur përmes Top Channel. Withers shprehet dakord me pesë pikat e deklaratës se Departamentit të Shtetit, por shton se ajo deklaratë nuk preku thelbin e shqetësimeve të tij, gërryerjen e demokracisë dhe keqqeverisjen.


Më poshtë letra e plotë e zotit Withers për publikun shqiptar:

 

Të dashur miq!

 

Po ju shkruaj për të komentuar mbi një deklaratë të Departamentit të Shtetit të disa ditëve më parë, e cila mund të ketë shkaktuar disa keqperceptime lidhur me pikëpamjet e mia për Shqipërinë. Unë vetë nuk kam marrë ndonjë njoftim formal lidhur me deklaratën dhe për pasojë më duhet të përdor informacion që e kam marrë tërthorazi.

 

Edhe pse deklarata ofron vetëm informacion që tashmë është publikisht shumë i mirënjohur, dëshiroj të sigurohem që asnjë prej jush të mos besojë gabimisht se unë kam qëndrime që në fakt, nuk i kam apo që paskam thënë gjëra që unë në fakt nuk i kam thënë.

 

Deklarata e Departamentit ngre pesë pika. Dëshiroj ta trajtoj secilën prej tyre me radhë. Deklarata pohon që:

 

• Pikëpamjet e mia janë të një qytetari privat: kjo është absolutisht e vërtetë, siç e kam bërë gjithmonë të qartë, si në fjalët e mia drejtuar medias shqiptare ashtu edhe në fjalimet që mbaj këtu në Amerikë.

 

• Pikëpamjet e Ambasadorit Arvizu përfaqësojnë pozicionet zyrtare të qeverisë së SHBA: edhe kjo është absolutisht e vërtetë. Alexander Arvizu është Ambasadori Amerikan në Shqipëri. Është ai që flet në emër të qeverisë amerikane.

 

• SHBA mbështesin fort Shqipërinë si anëtare e NATO-s: Po kështu edhe unë. Në fakt, gjatë qëndrimit tim si ambasador në Shqipëri, nuk ka pasur asnjë çast më të mrekullueshëm se sa ditën kur Shqipëria u ftua në aleancën e NATO-s. Sot, heroizmi i ushtarëve shqiptarë në operacionet e NATO-s – ashtu si trimëria e Kapitenit Vogli dhe Nëntetarit Peci në Afganistan – më bën shumë krenar.

 

• SHBA mbështesin fort aspiratat e Shqipërisë për në BE: Unë besoj vendosmërisht që hyrja e Shqipërisë më në fund në BE do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për vendin tuaj dhe për Europën. Pikërisht për këtë arsye, raporti i fundit i progresit i BE-së për Shqipërinë ishte aq zhgënjyes dhe pse ka rëndësi jetësore që Shqipëria t’ia ripërkushtojë veten përmbushjes së kritereve të BE-së.

 

• Qeveria dhe opozita duhet të punojnë në mënyrë bashkëpunuese dhe të përgjegjshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre politike dhe për të qeverisur në interesin kombëtar: Unë mendoj se ka rëndësi kritike që udhëheqja juaj politike të kapërcejë, këtu po citoj intervistën time të fundit, “ndasia që mbizotëron aktualisht mes dy partive kryesore politike – një ndasi aq e hidhur sa e ka bërë qeverisjen, për të mos përmendur reformat për të cilat vendi ka aq shumë nevojë – thuajse të ndalojnë.”

 

Në përmbledhje, unë nuk kam problem me asnjë prej çështjeve të ngritura në deklaratën e Departamentit. Në fakt, jam në një mendje me të pesta pikat. Megjithatë, deklarata nuk trajton pikën qëndrore të shqetësimit tim, atë mbi të cilën edhe kam përqendruar fjalët e mia në të kaluarën: gërryerja e demokracisë në Shqipëri. E thënë thjesht, frika ime është që në pak duar po përqendrohet tepër pushtet; që, nën trysninë e paepur të qeverisë, institucionet e pavarura që janë kyçe për të ruajtur praktikat demokratike, sundimin e ligjit, madje edhe zgjedhjet e ndershme, janë dobësuar seriozisht; që lufta për të ruajtur pushtetin e ka eklipsuar qeverisjen si përparësi të qeverisë; dhe që, nëse vazhdojnë prirjet e tanishme, Shqipëria ka rrezik të bjerë në atë lloj sundimi të të fortit që ka qenë edhe tragjedia e rajonit të Ballkanit gjatë gjithë historisë së tij.

 

Këto janë pikëpamjet e mia – dhe më lejoni të ritheksoj, janë pikëpamjet e mia si një qytetar privat amerikan. Por, në një perspektivë më të gjerë, pikëpamjet e mia – dhe, në fakt, ato të cilitdo vëzhguesi të huaj, zyrtar apo jo – as nuk i afrohen për nga rëndësia pikëpamjeve tuaja, pikëpamjeve të popullit shqiptar.

 

A besoni se qeveria juaj është vërtet demokratike? A besoni se ajo vepron në interesin tuaj? A besoni se ju thotë të vërtetën? A besoni se gjykatat japin drejtësi për të gjithë? A besoni që qeveria i merr vendimet tregtare dhe ekonomike në mënyrë transparente? A besoni se po e lufton seriozisht korrupsionin dhe nepotizmin? A besoni se po miraton politika që do t’ju sjellin vende pune dhe do të krijojnë mundësi për fëmijët tuaj? A shihni nga e ardhmja me shpresë dhe optimizëm apo me pesimizëm dhe dëshpërim?

 

Këto janë vetëm disa prej pyetjeve që shtrohen përpara jush dhe të cilave mund t’iu përgjigjeni vetëm ju.

 

E vlerësoj këtë mundësi për të ndarë pikëpamjet e mia me ju, miqtë e mi shqiptarë. Edhe pse disa mund të mos jenë në një mendje me sinqeritetin tim, ju premtoj që do të them gjithmonë të vërtetën ashtu siç e shoh.

 

Përshëndetjet më të përzemërta për të gjithë ju!

 

Miku juaj,
John L. Withers, II

/telegrafi/kohaislame

 

Artikulli paraprakAndroid 4.0 në vetëm 2,9 për qind të pajisjeve
Artikulli vijuesThaçi: Roli i SHBA vendimtar për paqen e lirinë e Kosovës