Xhamisë së Çarshisë në kryeqytet i rikthehet pamja e vjetër

Katër bazamente të vogla janë vënë para Xhamisë së Çarshisë. Mbi to do të ngrihen shtyllat që do të mbajnë kupolat e jashtme që do t’ia ndërrojnë pamjen objektit 600-vjeçar. Kjo do ta zëvendësojë hajatin, i cili konsiderohet se i është shtuar asaj në pjesën e tretë të shekullit të kaluar, mbi themele të vjetra, e që është rrënuar, për t’i lënë vend një hajati të ri me kupola plumbi. Gurët për ndërtimin e saj do të vendosen të rinj.

Por kjo nuk është puna e vetme që është kryer në objektin nën mbrojtje të shtetit, restaurimin e të cilit e ka marrë përsipër ta kryejë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Gurët tashmë janë zhveshur, për t’u kthyer në autenticitet, e ata do të pastrohen me një spërkatje prej zalli. Bashkë me fugat që do të sforcohen atyre do t’u kthehet edhe shkëlqimi. Deri në fund të tetorit, eventualisht në fillim të nëntorit, drejtues të IKMMK-së premtojnë se do të përfundojnë punët e vrazhda. Punë mbetet brenda objektit, në kërkim të pikturave të vjetra.

“Punët po shkojnë mirë”, thotë njëri ndër punëtorët, që të hënën po merrej me drejtimin e disa llamarinave të vjetra që do t’i hynin në punë më pas për rregullimin e çatisë.

Agim Gërguri, drejtor i IKMMK-së, është shprehur po ashtu i kënaqur me punët që po kryhen në xhami. Ai ka thënë se puna mund të përfundojë në dhjetor të 2012-s, ashtu siç është parashikuar me kontratë.

Arabeskat që aktualisht shihen në muret e xhamisë, – që mendohet se u ndërtua në vitin 1393 nga Sulltan Bajaziti, – Gërguri mendon se nuk janë më të vjetra se 100 vjet.

Rreth 500 mijë euro pritet të kushtojë restaurimi i xhamisë në kënd të rrugës për në atë që quhet “Prishtina e Vjetër”. Komuna e Prishtinës deri tash ka ndarë 350 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër është shprehur e gatshme ta sigurojë Bashkësia Islame e Kosovës, që njihet si pronare e objektit të mbrojtur nga shteti. Instituti planifikon që puna të përfundohet këtë vit, por për këtë thotë se do të varet nga ajo që do të gjendet në muret e brendshme të xhamisë./koha/kohaislame

Artikulli paraprakSchlumberger në krye të OSBE-së në Kosovë
Artikulli vijuesBroadband do të dëgjohet më shpesh në rajonin e Ballkanit