Xhihadistët armatosen me shpejtësi në Siri

 

 

Armët e dërguara nga Sauditët dhe Katari po përfundojnë më së shumti te grupet militante.

Shumica dërrmuese e ngarkesave me armë që janë dërguar nga Arabia Saudite dhe Katari me synimin për të furnizuar forcat rebele që luftojnë qeverinë e Bashar al – Assad po përfundojnë në duart e xhihadistëve islamikë të vijës së ashpër dhe jo te grupimet e opozitës më shekullare, të cilat Perëndimi dëshiron t’i ndihmojë. Lajmi bëhet i ditur nga zyrtarë amerikanë dhe diplomatë të Lindjes së Mesme.

Këto konkluzione, për të cilat Presidenti Obama dhe zyrtarët e tij janë informuar përmes dokumenteve sekrete, vënë në dyshim faktin nëse politika e ndërhyrjes minimale dhe jo të drejtpërdrejtë në Siri po jep atë që shpresohet, fuqizimin e grupimeve me prirje demokratike për të rrëzuar një qeveri gjakatare, apo është në fakt një politikë që do të krijojë një bazë të re kryengritëse antiamerikane në një rajon sakaq shumë të trazuar.

“Grupimet e opozitës, të cilat po marrin shumicën e ndihmës në armatime janë pikërisht ata që ne nuk duam që t’i kenë këto armatime,: tha një zyrtar amerikan, duke shtuar se administrata e Uashingtonit po shqetësohet gjithnjë e më shumë për këtë problem.

Shtetet e Bashkuara nuk po dërgojnë armatime drejtpërsëdrejti për opozitën e Sirisë, por po ofron informacione dhe mbështetje për transportin e armatimeve të përdorura të lehta si pushkët dhe granatat, operacione që përgjithësisht organizohen nga Arabia Saudite dhe Katari. Raportet tregojnë se në veçanti, ngarkesat e Katarit po shkojnë te grupet e vijës së ashpër. Vlerësimi mbi situatën e furnizimit me armë të rebelëve në Siri është e rëndësishme për Obamën, për shkak se politika ndërkombëtare pritet të jetë një fushë diskutimi në dy debatet kundër kandidatit republikan për president, Mitt Romney.

Në një fjalim pak ditë më parë, Romney deklaroi se nëse vjen në pushtet do të armatosë grupimet rebele “që kanë vlera të përbashkëta me ne” dhe se do t’i ndihmojë të kenë “armatimet që ata kanë nevojë për të mposhtur tankset, helikopterët dhe aviacionin e Assad”. Kjo sugjeron se ai mund të miratojë dërgimin e sistemeve shumë të fuqishme antiajrore dhe antitanke, gjë që administrata aktuale nuk e ka bërë nga pasiguria për faktin se kush mund t’i përdorë këto armë në të ardhmen. Por Romney nuk tha se armatimet do të dërgohen drejtpërsëdrejti nga SHBA-ja dhe këshilltarët e tij sugjeruan se operacionet e furnizimit do t’u lihen në dorë aleatëve arabë.

Zyrtarët amerikanë janë përpjekur të kuptojnë se si ka ndodhur që islamikët e vijës së ashpër kanë marrë pjesën më të madhe të armatimeve. Ata thonë se problemi qëndron se nuk ka një kontroll të mirëfilltë mbi trafikun se as nuk ka mekanizëm vetoje për grupimet që i marrin këto armë. Një diplomat raporton për NYT se CIA po punon për të krijuar një mekanizëm vetoje dhe se ka dërguar oficerë në Turqi për të drejtuar ndihmën. Por një diplomat tjetër nga një vend mbështetës për rebelët thotë se qeveria e tij është gjithnjë e më e zhgënjyer nga inefikasiteti i opozitës. Sipas tij, shumë grupe opozitare nuk kanë arritur të krijojnë një plan të qartë ushtarak dhe nuk kanë ide të qarta se si do të qeverisin Sirinë në rast se Assad rrëzohet, si dhe kanë shumë mosmarrëveshje me njëri-tjetrin.

 

 

Artikulli paraprakBerisha: Bashkimi kombëtar, proces i pandalshëm
Artikulli vijuesDjali vret babën