Yildirim: Fuqia e tankut nuk arriti të mposhtë fuqinë e popullit

Kryeministri i Turqisë Yildirim tha se Turqia nga njëra anë po lufton me organizatën terroriste paralele, kurse nga ana tjetër me organizatën terroriste separatiste.

Kryeministri i Turqisë Binali Yildirim mbajti një fjalim në mbledhjen e grupit parlamentar të AK Partisë. Me këtë rast ai tha se Turqia nga njëra anë po lufton me organizatën terroriste paralele, kurse nga ana tjetër me organizatën terroriste separatiste, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ata mund t’i shkaktojnë dhimbje këtij populli të madh duke i shfrytëzuar mundësitë, por kurrë nuk do të mund ta gjunjëzojnë. 15 Korriku tregoi gjithçka: forca e tankut nuk mundi ta mposhtë forcën e popullit”, deklaroi Yildirim.

– “Asnjë grusht shteti nuk ka hedhur bomba në TBMM”

“Pa përjashtim, çdo grusht shteti është i keq dhe vrasje. Megjithatë, asnjë grusht shteti në historinë tonë politike nuk ka qenë i keq dhe i poshtër sa ai i 15 korrikut. Asnjë grusht shteti nuk ka pasur rrënjë nga jashtë, drejtuar nga një tradhtar i veshur në rroba të një prijësi fetar. Asnjë grusht shteti nuk ka drejtuar armët kah populli i tij. Asnjë grusht shteti nuk e ka bombarduar popullin e vet nga ajri. Asnjë grusht shteti nuk ka hedhur bomba në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë (TBMM)”, u shpreh Yildirim.

Kryeministri Yildirim tha se çështjen të cilën puçistët e 15 korrikut nuk e kanë llogaritur mirë ka qenë TBMM, duke shtuar se puçistët menduan se “Me bombardimin e Kuvendit, anëtarët e tij do të përulen, do të frikohen dhe do të largohen” porse kanë gabuar rëndë.

Duke shtuar se jo Kuvendi, por deputetët e të gjitha partive që nuk u ndanë nga ai edhe krahas bombave jehoi zëri i vullnetit kombëtar, Yildirim iu drejtua deputetëve: “Ju përgëzoj që vazhduat punën në Kuvend në reshje bombash. Jam krenar që i dolët zot vullnetit kombëtar. Edhe një herē e përgëzoj tërë grupin tonë parlamentar dhe të gjithë deputetët dhe zyrtarët e CHP-së dhe MHP-së të cilët erdhën në Kuvend natën e 15 korrikut dhe rezistuan së bashku me ju deri në mëngjes. E falënderoj edhe HDP-në e cila vuri nënshkrimin në komunikatën kundër grusht shtetit”.

– “Mos vallë kërkuat prova kur u rrëzuan kullat binjake më 11 shtator?”

“Presidenti dhe vetë unë i bëmë thirrje SHBA-ve për ekstradimin e kreut terrorist dhe e dërguam dosjen. Na thonë të ofrojmë prova. Fshati që shihet nuk do kallauz? Megjithatë ne do t’u ofrojmë prova më shumë se që kanë kërkuar. Sidoqoftë, dua t’i pyes miqtë e mi amerikanë: Mos vallë kërkuat prova për kërkimin e terroristëve kur u rrëzuan kullat binjake më 11 shtator? A kishit prova kur i mblodhët të dyshuarit në Guantanamo? Ndërsa nuk kërkuat prova për Bin Ladenin. Pse po kërkoni prova për FETO-n kur gjithçka është aq e qartë dhe në shesh? Mos e mbroni më këtë vrasës, këtë tradhëtar dhe këtë lider terrorist. Nuk keni dobi nga kjo. Mos e ushqeni atë dhe mos shkaktoni probleme kot. Këta do t’i shkulim me rrënjë”, tha Yildirim.

Artikulli paraprakKomandanti turk: U pendova, por ishte vonë!
Artikulli vijues“Betonimi” i tokave bujqësore