Ymeri: Jemi të kërcënuar me luftë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë në një deklaratë për media, se Serbia po i kërcënohet Kosovës me luftë, njofton Klan Kosova.

Përveç kësaj, sipas Ymerit, Kosova edhe udhëhiqet nga një regjim i ndërtuar nga politikanë jocilësor dhe zhvatës.

“Sot kur jemi të kaq të kërcënuar me luftë jemi në një regjim gllabërues të udhëhequr nga politikanë skajshmërisht të papërgjegjshëm”.

Ymeri ka shtuar se çdo tentativë e Serbisë, e çfarëdo forme qoftë ajo, ka për qëllim moslejimin e bërjes së Kosovës Republikë e mirëfilltë.

“Pavarësisht se në çfarë forme vijën ndërhyrjet e Serbisë, qoftë mur, treni, Lista Serbe e të tjera, qëllimi i tyre është i njëjtë, pamundësimi i Republikës së Kosovës dhe mosrealizimi i sovranit të saj”.

Ymeri mendon se fajtor për përzierjen kaq të madhe e të shpeshtë të Serbisë në punët e Kosovës janë Presidenti, Kryeparlamentari dhe Kryeministri.

“Të gjitha këto u mundësuan nga negociata pakushte, këto na sollën këtu. Eksponentët e kësaj rruge, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa nuk janë zgjidhja, por vet problemi”.

“Ndërmarrjet avantureske për qëllime personale, të planifikuara keq, dhe ad hoc vetëm sa e rrezikojnë edhe më shumë Republikën e Kosovës, duke e dëmtuar edhe më shumë interesin e saj dhe mundësinë për shtrirje e kontroll sovran mbi territorin e resurset”.

“Këta të tre duhet të largohen sa më shpjet nga pozitat institucionale që t’i hapin rrugë Kosovës”.

“Thaçi, Veseli, Mustafa dhe të tjerët si këta, kanë kontribuuar herë drejtpërdrejtë e herë në mënyrë indirekte në gjendjen aktuale që e kemi”.

Artikulli paraprakTurma është “e mençur” apo “budallaqe”?
Artikulli vijuesNë veri kërkohen ndihma në ushqime, jugu rrezikon nga përmbytjet