Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), po i bëjnë shantazh AAK-së.
Zeka i cili së bashku me disa deputetë tjerë, gjendeshin në një vizitë zyrtare në Malin e Zi, thotë se nuk është faji i tyre që demarkacioni nuk u votua, pasi që ata janë kthyer në Prishtinë, për të qenë të pranishëm në seancë, në momentin që atyre një gjë e tillë u është kërkuar.
Por thotë se faji iu hodh atyre, pasi që nuk arritën t’i sigurojnë votat e duhura, për ta kaluar demarkacionin.
“Kryetari i Parlamentit, duke na i lënë fajet neve që kemi qenë në vizitë zyrtare në Malin e Zi. Nuk ka qenë faji i ne deputetëve. Ne kemi qenë në Prishtinë në orën katër. Ne kemi mund ta votojmë në orën 5, në orën 6. Problemi është se nuk kanë qenë votat dhe LDK, së bashku me PDK-në është duke i bërë shantazh dhe obstruksione AAK-së. Ne si Nismë nuk kemi çka diskutojmë më për demarkacionin. Ne kemi marrë vendim me votu demarkacionin”, tha ai.
Ndërsa thotë se përgjegjësia për mos ratifikimin e demarkacionit i bie Kryesisë së Kuvendit dhe jo deputetëve, të cilët ishin në vizitë në Mal të Zi.
“Vizita jonë në Mal të Zi ka qenë e planifikuar. Ka qenë vizitë zyrtare.. Kur na kanë marrë në telefon dhe kanë thënë që duhet të ktheheni. Ne kemi thënë po kthehemi, vazhdon seancën, le të fillojë debati dhe ne vijmë votojmë.
Këta as nuk e kanë vazhduar seancën. Imagjinoni çfarë mishmashi bëjnë liderët tanë politik. Ka qenë e planifikuar ardhja e Mogherinit këtu me delegacionin e BE-së. Këta vetëm për të rrejt Brukselin, për të paraqitur fasadë ndaj Brukselit, se ne do të votojmë dhe do ta kalojmë demarkacionin. Delegacioni këtu, ne në Mal të Zi. Prandaj krejt përgjegjësia është te Kryesia e Kuvendit, jo tek ne”, tha Zeka.