Vuqiq: Shqiptarët po presin që SHBA t’ia kryej punët me Serbinë

0
277

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është sukses që pas dhjetë vjetësh Serbia kthehet “në lojën” rreth çështjes së Kosovës dhe që përgjithësisht flitet për kompromise, ndonëse situata për ne vazhdon të jetë shumë e rëndë, dhe se shqiptarët në fakt vetëm duan të bashkojnë territoret e tyre.

Kështu i tha presidenti i Serbisë TV Hepi, transmeton Koha.net. Këtij mediumi ai i tha se gjatë ditëve të fundit të fushatës për zgjedhjet e Beogradit “do të jetë me Thaçin, Junckerin, Mogherinin, Hahnin” në Sofje, meqë kjo është detyra e tijh, pavarësisht nëse i pëlqen ose jo.

“Më mirë të takohemi, nëse kjo e shpëton kokën qoftë edhe të një njeriu tonë në Kosovë e Metohi. Nuk është për mua as për atë e këndshme të takohemi, por jemi të detyruar, kjo është puna ime, të bëjmë atë që të tjerët nuk janë të detyruar”, është shprehur presidenti Serb.

Vuçiq e ka cilësuar shqiptaromadhe idenë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për një president gjithëshqiptar dhe politikë unike të jashtme shqiptare, ashtu siç e ka cilësuar edhe thirrjen e Ramës komunave me shumicë shqiptare në Serbi që të formojnë Asociacion të Komunave Shqiptare (analoge me kërkesën e serbëve për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë).

Vuçiq ka rikujtuar tërheqjen e ushtrisë dhe të policisë nga Kosova më 1999, pas bombardimeve dhe ka shtuar se “për ndjekjen e serbëve më 2004 shërbimet sekrete lejuan që askush asnjëherë nuk është përgjigjur për serbët e vdekur dhe të ndjekur nga vatrat shekullore” është shprehur ai.

Sipas tij, më 2008 për të shpallur pavarësinë shqiptarët i shfrytëzuan raportet brenda pushtetit në Serbi, konfliktin midis Vojisllav Koshtunicës dhe Boris Tadiqit, pasi konsideruan se Serbia është e paaftë.

“Panë se Serbia është e pafuqi dhe se vendet më të fuqishme të botës e pranuan pavarësinë e Kosovës dhe e trajtojnë shtet të pavarur. Ndërsa ju tani kërkoni nga unë që SHBA, Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe dhe të tjera të ndryshojnë mendimin dhe të thonë – na falni, ne kemi gabuar dhe këtë e dinë të gjithë se kjo nuk do të ndodhë”, transmeton deklaratën e Vuçiqit Koha.net.

Vuçiq ka shtuar se “pozita në tabelën e shahut vazhdon të jetë edhe më tutje katastrofalisht e rëndë për ne, porse po përpiqemi që të luftojmë për ta përmirësuar sadopak” .

Presidenti serb ka thënë se shqiptarët në fakt vetëm presin që SHBA, Gjermania dhe të tjerët “t’ua kryejnë punët me Serbinë”.