Në kuadër të aktiviteteve të RDK-së dje u mbajt mbledhja e Kryesisë së Degës së RDK-së në Gostivar, nën udhëheqjen e Kryetarit të kësaj Dege, Arben Ademi, me pjesëmarrjen e shumicës absolute të anëtarëve të Kryesisë së Degës së RDK-së në Gostivar dhe Kryetarit të RDK-së Prof. Fadil Zendelit.
Në këtë takim, në një atmosferë të hapur dhe miqësore u diskutua aktualiteti politik në vend me theks të veçantë në ruajtjen e unitetit të RDK-së, si forcë e rëndësishme e bllokut opozitar, përballë tendencave përçarëse absurde për krijimin e aleancave fantome pozitë-opozitë të gjoja forcave progresive.
Në takim të pranishmit shprehën mbështetjen për qëndrimet e Kryesisë qendrore dhe Kryetarit të RDK-së Fadil Zendelit për nevojën e forcimit të opozitës, si një shans që nuk duhet lëshuar për mposhtjen e partisë në pushtet në zgjedhjet e rradhës. “Çdo lojë tjetër e hapur ose e fshehtë për t’i siguruar partisë shqiptare në pushtet edhe një mandat, përmes përçarjes së opozitës, është sinjal i qartë për qëllimet e personave që fshihen pas tyre” – u tha nga të pranishmit.
Në fjalën e tij Kryetari i RDK-së, Prof. Fadil Zendeli, çmoi lart unitetin e treguar nga Dega e RDK-së në Gostivar, përkundër sulmeve dhe presioneve të një personi të vetëm që gradualisht po e humb edhe mbështetjen e simpatizantëve të tij të pakët. RDK ëshë parti e të gjithë antarëve të saj dhe ajo është e hapur për të gjithë ata dhe jo parti e një personi të vetëm që mund t’i manipulojë të tjerët për qëllimet e tij. Ky është shansi ynë që përmes forcimit të Aleancës për shqiptarët dhe zgjerimit të frontit opozitar të sigurojmë fitoren në zgjedhjet e ardhshme. Në të kundërt, vetëm do t’i zgjatet jeta këtij pushteti të korruptuar dhe do të vritet shpresa e shqiptarëve për ndryshim.
|
|