Zgjedhja e “fshehtë” e Kryetarit të KMSH!

0
169

Në një shoqëri të lirë ku sundojnë parimet e drejtësisë dhe barazisë mes njerëzve të barabartë, zgjedhja e kreut më të lartë përfaqësues të shtetit ose një bashkësie, është një eveniment që preokupon shumicën e qytetarëve të atij vendi ose bashkësie. Cilado qoftë forma e zgjedhjes së këtij njeriu, parlamentare apo popullore, njerëzit e përgjegjshëm dhe jo indiferent, janë gjithmonë të interesuar të dinë, madje edhe të marrin pjesë me opinionin apo me votën e tyre në zgjedhjen e këtij përfaqësuesi, që do të jetë së pari imazhi i tyre dhe së dyti njeriu që do t’i udhëheqë ata për disa vjet me radhë.
Në këtë muaj ( 23 Mars 2014) mbaron mandati pesëvjeçar i kryetarit aktual të KMSH-së, dhe pritet që të zgjidhet kryetari i ri. Ky kryetar, sipas statutit të KMSH-së, zgjidhet me votë të fshehtë nga Këshilli i Përgjithshëm i këtij komunitetit, që në një farë mënyre – de jure, së paku- duhet të jetë parlamenti i muslimanëve të Shqipërisë.
Faqja zyrtare e KMSH-së në internet nuk jep asnjë lajm se kush janë kandidatët e mundshëm për këtë post!
Profili zyrtar në FB i KMSH-së, gjithashtu nuk jep asnjë informacion!
Asnjë nga anëtarët e kryesisë së KMSH-së nuk prononcohen publikisht për këtë zgjedhje!
I vetmi lajm që dimë, edhe atë jo në rrugë zyrtare, por nga lajmet e pakonfirmuara që çuditërisht rrjedhin nga zyrat e KMSH-së dhe nuk dalin publikisht ashtu siç duhet, është se kanë paraqitur kandidaturën e tyre për kryetar: Xhemal Balla, Sabri Hushi dhe së fundi –me sa kam marrë vesh- edhe Selim Muça. Duke qenë se asgjë nuk dihet me saktësi, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të tjerë dhe në momentin e fundit do të ndodh ndonjë “çudi”, jo shumë e papritur.

Edhe pse nuk kam qenë në Shqipëri në 2005, kur u zgjodh për herë parë kryetari aktual, më kanë thënë se në atë kohë kandidimi i tij u bë publik, dhe madje pati edhe një platformë dhe mbështetje publike nga disa myftini. Pra, mund them se qe diçka deri diku transparente, edhe pse në fakt nuk i di detajet, për të bërë një krahasim të plotë dhe të drejtë me atë çka ndodhi më pas dhe po ndodh aktualisht.

Kështu pra, çdo gjë do t’i ngelet “surprizës”!
Zgjedhja e kryetarit të KMSH duhet jetë e “fshehtë” dhe “surprizë”!
Përse, ndryshe edhe nga 2005?

Këtë e dinë dhe duhet ta dinë -për fatin tonë të mirë apo të keq- vetëm ata që drejtojnë sot KMSH-në!

Bisedat e kafeve, që bëhen sa andej këndej për zgjedhjen e kryetarit, përshkruhen nga një tis enigmatik fjalësh, ku në to nuk jepen opinione se kush mund të fitojë nga kandidatët e paraqitur, nisur nga njohja e personave në fjalë dhe avantazheve dhe disavantazheve që kanë për këtë post, por se cili është ai kandidat që është vendosur nga xhemati i hizmetit, apo nga qarqet politike, për të zënë këtë post. Çdo mundësi mund të diskutohet në këto biseda, por mundësia që ai të zgjidhet nga xhemati ose zëri i tyre në Këshillin e Përgjithshëm, është opsioni që askush nuk e çon në mendje! Për të vetmin fakt, se legjitimiteti është “luksi” i fundit që u shkon ndërmend në rastin konkret. Një rregull i artë juridik thotë se çfarë ngrihet mbi ilegjitimen mbetet ilegjitime.
Çfarë vlere ka legjitimiteti i kryetarit të KMSH-së, kur vetë Këshilli i Përgjithshëm që e zgjedh atë, gati gjysma e tij, është i emëruar nga Kryesia e KMSH-së, nga përzgjedhjet që përmbushin kriteret sektare, klanore dhe koniunkturale, pra nga ilegjitimja!
Çfarë vlere ka legjitimiteti i zgjedhjes së kryetarit të KMSH-së, kur vetë KP nuk është zgjedhur me vota siç e ka statuti, në mënyrë të ndershme dhe transparente, por janë “emëruar” në mënyrë arbitrare dhe “zgjedhjet” – i thënçin!- për KP ishin vetëm dekor, që në shumicën e qyteteve as që janë zhvilluar fare dhe aty ku janë zhvilluar kanë qenë tejet formale, sepse gjithçka qe vendosur që më parë! Kështu që është më se normale që në këtë anormalitet të zhvillohet konformizmi hipokrit dhe servilizmi shumë fytyrësh, në emër të ekuilibrave fiktivë dhe interesave individuale dhe klanore.
Atëherë, pse e ngre zërin do të thonë disa njerëz?!
Përgjigjen po jua lë atyre që e kanë pjesë të tyre paragjykimin, që në këtë klimë anormaliteti, dhe ku shumëkush nuk i beson sinqeritet dhe ndershmërisë së shumëkujt, të spekulojnë me iluzionet e tyre si të duan…

E pra, nëse në 2005 protestova me trup dhe pankarta për zgjedhjen e Kryetarit të KMSH-së në atë kohë, po në të njëjtën frymë po protestoj sot me shkrim, për mënyrën sesi po zgjidhet përfaqsuesi më i lartë i muslimanëve të këtij vendi dhe për mënyrën sektare e klanore e konspirative që punohet në KMSH.

Mjaft më…!

Justinian Topulli