Zvicra dhe Turqia, investitorët më të mëdhenj në Kosovë

Zvicra është shteti që ka investuar më së shumti në Kosovë, gjatë vitit të kaluar, pasuar nga shteti i Turqisë dhe Gjermanisë.

Sipas raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, investimet e Huaja Direkte (IHD) të pranuara në Kosovë gjatë vitit 2015 arritën vlerën prej 324.4 milionë euro. Sa i përket origjinës së investimeve të huaja Zvicra ka investuar rreth 73 milion euro, pastaj Turqia rreth 58 milion euro, Gjermania 45 milion euro.

Ndryshe, numri sipas të dhënave të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, numri i bizneseve me pronarë të huaj në Kosovë është 7212, kurse 1766 është numri i bizneseve me pronarë nga shteti i Zvicrës, Turqisë dhe Gjermanisë .

Patundshmëria dhe shërbimet financiare janë sektorët ku më shumti kanë kapital bizneset me pronarë të huaj..

Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se numri i madh i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Zvicër,ka ndikuar që të investimet e këtij shteti të jenë më të pranishme në Kosovë, e konkretisht në sektorin e patundshmërisë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova ka potencial të mjaftueshëm dhe të leverdishëm për investitorët ndërkombëtar, përveç patundshmërisë, sektorë ky që sipas tij, nuk sjell ndonjë zhvillim për Kosovën në aspektin afat gjatë.

“Realisht nëse i analizojmë statistikat e investimeve të huaja në dy vitet e fundit, shohim se gjysma e investimeve të huaja direkt janë investuar në patundshmëri. Dhe rrjedhimisht ne kemi konsideruar se kjo është për shkak të numrit të madh të diasporës në vendet e Evropës e posaçërisht në shtetin e Zvicrës. Ndërsa sa i përket sektorit financiar, atëherë tërheqjes së investimeve të huaja nga Turqia, është respektim i hapjes se institucioneve financiare bankare në vendin tonë“, ka thënë Zeka.

Ndryshe, shteti ku më së shumti kanë emigruar kosovarët, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind.

Por, përveç investimeve direkt, edhe vlera e remitencave që pranohen në Kosovë vijnë kryesisht nga Gjermania dhe shteti i Zvicrës.

Sidoqoftë, më gjithë rëndësinë e këtyre investimeve në sektorët e patundshmërisë dhe atë financiar, Arian Zeka shprehet se Kosova ka nevojë për investime të huaja edhe në sektorë të tjerë.

“Potencialet e vendit tonë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte janë në ata sektorë ku vihen në përdorim burimet tona natyrore, e të cilat fatmirësisht Kosova i ka më bollëk”.

“Po flasim kryesisht, për sektorin minerar, gjenerimin e energjisë elektrike. Dhe sektorët tjerë më potencial të madh për tërheqje të investitorëve të huaj, është sektori i teknologjisë, informacionit dhe sektorët e agrobiznesit”, tha Zeka.

Të njëjtë sektorë potencial dhe strategjik për investitorët e jashtëm i përmend edhe Naim Gashi, ekspertë për çështje ekonomike.

Por, Gashi shpreh shqetësimin se në Kosovë ekzistojnë faktorë të shumtë të cilët dekurajojnë ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

“Janë problemet politike më të cilat Kosova ballafaqohet në dhjetë vitet e fundit, mandej problemet etnike që i kemi të brendshme më komunitetin serb. Problemet fqinjësore që i kemi më Serbinë, pasi ajo gjithmonë e saboton dhe lufton zhvillimin ekonomik të shtetit të Kosovës”.

“Pastaj ,janë problemet e brendshme, siç është shkalla e korrupsionit, infrastruktura fizike, rrugore, hekurudhore, burokracia në nivel lokal dhe qendror dhe jo stabiliteti më energji elektrike”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Gashi, ndërkaq shprehet se edhe mos miratimi i Projektligjit për Investime Strategjike, në Kuvendin e Kosovës, vë në dyshim investitorët e interesuar për shtrirjen e kapitalit të tyre në Kosovë. /Rel

Artikulli paraprakZjarr në një bar në Francë, 13 të vdekur
Artikulli vijuesFjala e Kerryt shkon në vend, mbërrinë muxhahedinët në Shqipëri