Ka një padi të 9 organizatave të Asociacionit të Familjeve të personave të zhdukur që ia kanë bërë Pablo Baraybarit udhëheqës i Zyrës për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore të UNMIK-ut. Peruani dyshohet se ka marrë pa autorizim rreth 400 klavikula duke i prerë eshtrat e viktimave dhe ato i ka përdorur për qëllime personale.
10 vjet u janë dashur Gjykatave të Kosovës që vetëm ta nisin një shqyrtim për rastin e padisë që familjarët e të pagjeturve i kishin bërë udhëheqësit të departamentit ligjor në kohën e UNMIK-ut, raporton KTV. Dhe kur e kanë shqyrtuar, kanë ardhur në përfundim se lënda ka arritur kohën e parashkrimit absolut dhe rrjedhimisht janë pushuar të gjitha hetimet.
Me studimin për këto klavikula që u morën nga trupat e kosovarëve të vrarë në luftë, Baraybar ka shkruar një libër dhe ka botuar një punim shkencor. “Skeletal Trauma” është libri që ka çmimin 179 dollarë e ku Baraybar ka shkruar gjysmën e tij me hulumtimin që e ka bërë me mostrat e eshtrave në Kosovë.