“Kosova e Re” dyfishon çmimin e energjisë dhe çon Kosovën në bankrotim

0
126

Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) përmes një analize kanë ngritur alarmin për pasojat që do të ketë për ekonominë dhe mjedisin e Kosovës realizimi i projektit ‘Kosova e Re’ dhe kanë bërë thirrje që të ndërpritet marrëveshja me me Contour Global.

Po botojmë të plotë e analizës së këtyre dy institucioneve.Infografika e radhës e Balkan Green Foundation (BGF) dhe Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) trajton marrëveshjen për Blerjen e Energjisë (Power purchase Agreement) të kontratës për Termocentralin ‘Kosova e Re’. Marrëveshja e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës me Contour Global parasheh që Republika e Kosovës t’i paguajë kompanisë të gjitha shpenzimet, por edhe këstet e kredisë, kamatën, fitimin, si dhe tatimin në fitim për 20 vite.
Termocentrali ‘Kosova e Re’ ka një çmim të garantuar prej 80 €/MWh.Për të siguruar shitjen e energjisë së prodhuar nga TC ‘Kosova e Re’, Qeveria e Kosovës ka themeluar kompaninë publike – Ndërmarrjen e Re Energjetike të Kosovës/New Kosovo Electricity Company (NKEC), e cila do të shërbejë si ndërmjetësues në mes të Contour Global dhe pjesës tjetër të tregut të energjisë në Kosovë.

NKEC detyrohet të blejë 100% të kapacitetit prodhues të termocentralit ‘Kosova e Re’ e i cili do të prodhojë 3,370,000 MWh në vit edhe nëse tregu nuk e kërkon. Atë energji NKEC do t’ia shesë KEDS-it apo dikujt tjetër me çmim më të lirë se kostoja, çmim mesatar vendor dhe rajonal, i cili është 50-60 €/MWh.

Me Kosovën e Re, çmimi final për konsumatorë (amvisëri) del të jetë €115/MWh.Kjo ngase:
Kosova e Re prodhon me çmim prej 80 €/MWhKOSTT përçon me çmim prej 3 €/MWhKEDS/KESCO shpërndan me çmim prej 32 €/MWh80 €/MWh + 3 €/MWh + 32 €/MWh = 115 €/MWhKy çmim është afërsisht 50% më i shtrenjtë sesa çmimi aktual prej 60 €/MWh.

Qeveria e Kosovës do të detyrohet që artificialisht ta ulë çmimin për t’i mbajtur të kënaqur konsumatorët. Kjo arrihet duke subvencionuar diferencën e çmimit real me atë të çmimit aktual: 115 €/MWh – 60 €/MWh = 55 €/MWh.Sa do të na kushtojë ky subvencionim në qoftë se TC ‘Kosova e Re’ jetësohet? Kur e shumëzojmë prodhimin vjetor të energjisë nga TC ‘Kosova e Re’ (3,370,000 MWh) me diferencën (55 €/MWh) që duhet ta subvencionojë Qeveria e Kosovës nëpërmjet NKEC-it, del që qytetarët e Kosovës do të duhet të paguajnë €185 milionë në vit apo €3.7 miliardë për 20 vjet. Paratë për subvencionim do të vijnë nga buxheti i Kosovës dhe tarifat e ngritura për energji elektrike, në mënyrë që kompania e re publike NKEC të respektojë këtë kontratë për 20 vjet. Subvencionimi nga buxheti i Kosovës prej €3.7 miliardë për 20 vjet do të thotë më pak investime në infrastrukturë, siguri, zhvillim ekonomik, arsim e shëndetësi.Ndërmarrja e re e krijuar NKEC do të kryej veprimtari të paligjshme të dëmtimit të konkurrencës, izolimit të tregut dhe shtrenjtimit të çmimit të energjisë për konsumatorët në dobi të investitorit privat. Si e tillë, themelimi i saj përbën shkelje të Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike dhe akteve nënligjore që flasin për arsyeshmërinë ekonomike të themelimit të ndërmarrjeve publike.Me themelimin e ndërmarrjes së re NKEC, Qeveria e Kosovës po krijon shpenzime të qëllimshme dhe të panevojshme të projektit. Qeveria po bënë abuzim të buxhetit dhe me pagat e 5 anëtareve të Bordit të NKEC, i cili u emrua me datën 21.05.2018. Përveç kësaj, ndikimet politike po shpërfaqen haptas edhe në emërimin e kryeshefit ekzekutiv të NKEC.

Ekspertët britanikë dhe Qeveria e Kosovës kanë dhënë vlerësime të ndryshme mbi kandidatin më të suksesshëm, çka tregon për një tendencë të hapur për të ndikuar politikisht rezultatin në fund. (Referojuni linkeve për më shumë informata për vlerësimet nga të dyja palët:1. https://www.kosovoselection.org/outcomes;http://mzhe-ks.net/repository/docs/Kandidati_i_suksesshem_NKEC_final.pdf).Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kërkojnë tërheqjen e menjëhershme nga kontrata për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ky projekt do të falimentojë Kosovën ekonomikisht, do të pamundësojë liberalizimin dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe paraqet një goditje vendimtare të mjedisit, shëndetit dhe të drejtave të njeriut. Duke ndërprerë këtë projekt të dëmshëm, Kosova ka mundësinë të ndërtojë të ardhme evropiane përmes tranzicionit të energjisë drejt burimeve të ripërtërishme, efiçiencës së energjisë dhe një tregu të integruar e liberal në funksion të përballueshmërisë së çmimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit.