Në Kosovë zvogëlohet numri i nxënësve, rritet ai i mësimdhënësve

0
53

Dhjetë vitet e fundit numri i nxënësve në arsimin parauniversitar është ulur për 20 përqind, kurse gjatë kësaj kohe stafi arsimor është rritur për tetë përqind.

Kështu ka njoftuar eksperti i arsimit Dukagjin Pupovci, gjatë tryezës së organizuar nga Vetëvendosje kushtuar menaxhimit të sistemit arsimor.

Pupovci po ashtu tha se çdo vit në Kosovë po zvogëlohet numri i nxënësve në klasat e para.

“Çdo vit në Kosovë i keni 500 deri në 1000 nxënës më pak. Kjo vjen si shkak i uljes së natalitetit dhe kryesisht shpërnguljes së familjeve nga zonat rurale”, ka thënë Pupovci.

Thotë se sistemi arsimor në Kosovë është i decentralizuar. Sipas tij, në shkolla vërehet kultura klienteliste, përmes së cilës pushtetarët punësojnë bashkëpartiakët e vet.

“Sistemi arsimor në Kosovë është i decentralizuar, për shkak të traditës së shtetit, por edhe për shkak të planit të Ahtisarit, që me ligjin për arsimin në komuna ka imponuar një decentralizim”, ka thënë Pupovci.

Edhe Selim Mehmeti nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, tha se disa paralele të ndara të shkollave duhet të mbyllen. Gjatë kësaj tryeze, njohës të arsimit propozuan centralizimin e arsimit.

Vetëvendosje ka nisur ciklin e tryezave për arsimin parauniversitar, në të cilën u diskutua për menaxhimin e sistemit arsimor.

Deputetja nga LVV, Arbërie Nagavci, tha se qëllimi i këtyre tryeza është adresimi i çështjeve që lidhen me arsimin parauniversitar. Ajo njoftoi që gjatë këtyre tryezave do të mblidhen rekomandime të ndryshme, me të cilat do të formojnë një rezolutë. Përndryshe, nga Vetëvendosje kanë njoftuar se do të mbajnë edhe tri tryeza të tjera në të cilat do të diskutohet ndër të tjerash për tekstet shkollore, mësimdhënësit dhe shkollimin profesional.