Një popull pa kondicion, pa matematikë, pa gramatikë

Prej se di për veten, gjatë gjithë jetës sime, jam marrë me sport. Shumicën absolute të kohës kam luajtur futboll, natyrisht (për një kohë të shkurtër, kam luajtur edhe në ligën e parë të Kosovës), basketboll, volejboll, ping-pong, kleçkash (baseball, ju rinia), kam vrapuar, kam ushtruar, kam ecur shumë.

Me një fjalë, shumicën absolute të kohës, kam qenë në kondicion të mirë fizik. Por, kurrë në kondicion të plotë. Kurrë, nuk jam mbushur me kondicion që trupi im e ka pasur potencial. Kurrë!

Shkruan: Blerim Gashani

Gjithmonë pyesja veten pse.

Përgjigjen ma pat dhënë vëllau im, kur shkova në Gjermani dhe fillova të luaj futboll për një ekip të vogël, ku luante edhe ai. Ai më pat thënë se unë nuk mbushem kondicion për dy arsye. E para se nuk e përcjelli një sistem gradual të fitimit të fuqisë dhe kondicionit. Dhe e dyta, sepse ndalem sapo të lodhem. Nuk e çoj përtej lodhjen. Është diku një prag, më pat thënë vëllau, ku ti mendon se nuk mundesh më. Trupi është drobitur, zemra po gulçon, ti je shkallmuar, ke mbetur pa pikë fuqie. Vetëm nëse vazhdon përtej kësaj pike, nëse e kalon atë prag, duke i shtrënguar dhëmbët, duke e bindur veten se ti mundesh më shumë, vetëm ajo pjesë të mbushë me fuqi, ajo pjesë të mbushë me kondicion. Nuk mbushesh kondicion nëse ndalesh sa herë mendon se je lodhë, sa herë mendon se nuk mundesh më.
……….
Më vonë e kam parë se nuk jam vetëm. Ky popull nuk ka kondicion, është i lodhur, i pafuqi, i pashëndetshëm, i plogësht, i pavullnet, apatik. T’gjithë e presin ashensorin, edhe nëse e kanë banesën në katin e dytë. Në fundjavë shtrihen. Pushimi për ne është të shtrihemi. Të shtrihemi në shtrat, në shezlong, nën hije, me rëndësi të shtrihemi.
Një popull që rri shtrirë, që rri ratë!
…………
Çdo krahasim çalon, por më duket se nuk ka analogji më të mirë se sa kjo që sapo përmenda me kompetencën/njohuritë që ky popull ka për matematikën dhe gramatikën. Ok, ta themi menjëherë: me përjashtime që vetëm përforcojnë rregullën, krejt ne, i madh e i vogël, një nga një e kolektivisht, nuk e dimë matematikën dhe gramatikën. Ne kemi qindra mijëra nxënës e studentë të shkëlqyeshëm në lëndë të tjera dhe të tmerruar nga matematika. Ne kemi dhjetëra mijëra njerëz të shkolluar, nganjëherë deri profesorë universiteti, që nuk kanë lidhje me gramatikën e gjuhës shqipe. Ne kemi doktorë shkencash, që pa korrektorë e pa lektorë, nuk do të mund të botonin kurrë kurrgjë! Shikoni ministrat, pushtetarët e qeveritarët tanë, kur shkruajnë nganjëherë vetë! Shikoni e plasnja gazit! Apo, unë kisha me thanë: plasnja vajit! (Në një rast, nuk dija a me qesh a me qajtë, kur një ish-ministri të kulturës – mirë dëgjuat, të kulturës – nga 480 fjalë ia pata gjetur 350 gabime drejtshkrimore, sintaksore dhe logjike).

Mua ma merr mendja se ne nuk e dimë matematikën dhe gramatikën saktësisht për të njëjtat arsye që nuk kemi kondicion fizik, nuk kemi fuqi, jemi të plogësht, apatikë.
Sepse edhe – bile sidomos – matematika dhe gramatika – kërkojnë konsekuencë (jo, sikur lëndët tjera, që nxënësit tanë nuk i mësojnë gjithmonë, por herë pas here, i mësojnë nga dhjetë tema dhe e marrin një notë), dhe kanë nga një prag, për të cilin duhet vullnet i madh për ta kaluar.

Shumica absolute e këtij populli nuk është konsekuente, nuk ka sistem, nuk ka vullnet dhe kurrë nuk e kalon atë prag.

Prandaj, mund të themi lirisht:

Ne jemi një popull pa kondicion fizik.
Ne jemi një popull që nuk e di matematikën.
Ne jemi një popull që nuk e di gramatikën.

Pa këto tri shtylla, zor se mund të shkojmë shumë larg.

Qofsha gabim!

P.S. Po shtrihem pak se u lodha t’u shkru!!!!

Artikulli paraprakKuvendi i Kosovës, 100 mijë euro për blerjen e laptopëve për deputetët
Artikulli vijuesMinutat e para të lindjes së fëmijës