Gëlqerosja e pemëve tani në pranverë, specialisti kosovar: ja t’mirat organike dhe estetike

0
580

Stina e pranverës tashmë ka filluar dhe shumë fermerë, por jo vetëm ata kanë filluar të kujdesen për bahçet e tyre.

Shumë nga ta kanë filluar me gëlqerosjen e pemëve, e cila përveç që është traditë e ruajtur gjer në ditët e sotme, pa dyshim se ka edhe anën estetike.

Gëlqerosja ka një rol të rëndësishëm tek pemët, pasi që i mbron ato nga bakteret dhe sëmundjet e ndryshme.

Ashtu siç njerëzit në kohën kur ngrohet moti fillojnë të vishen me rroba me ngjyrë të çelët, ashtu është edhe pemët kanë nevojë të vishen me këtë rrobë të bardhë. Ngjyra e bardhë reflekton dritën e diellit dhe në këtë mënyrë zvogëlon nxehjen e lëvores së pemës, çka nuk është rasti edhe me pemët e pagëlqerosura të cilat e absorbojnë më shumë nxehtësinë.

Po ashtu gëlqerosja e pemëve mund t’i vonojë lëngjet/vegjetacionin e hershëm – duke parandaluar kështu dëmet nga ngricat e mundshme në pranverë.

Gëlqerosja e pemëve, gjithashtu, mund të parandalojë prekjen nga insektet e ndryshme dhe ka efekt mbrojtës ndaj sëmundjeve të ndryshme të cilat gjatë dimrit krijohen nga vezët e parazitëve në lëkurë. Ngjashëm mbron pemët nga brejtësit dhe kafshët e ndryshme (lepuri, kaprolli, miu, etj.).

Për t’u njohur me shumë rreth kësaj tradite tek shqiptarët, tesheshi.com bisedoi me ekspertin e bujqësisë, Msc. Hajrush Suka, i cili na njoftoi për kohën dhe rëndësinë e gëlqerosjes së pemëve.

“Koha më e mirë për lyerjen e trungut të pemëve është vjeshta, pas rënies së gjetheve, respektivisht në kohën para se të bie bora e parë dhe koha kur është e thatë e jo me lagështi…

Pos vjeshtës, gëlqerosja e pemëve mund të bëhet edhe në pranverën e hershme me qëllim që të mbrohen pemët nga rrezatimi direkt në trupin e pemëve, që mos të shkaktohen plasaritje në trungun e tyre si dhe njëherësh shërben edhe si masë mbrojtëse prej dëmtuesve dhe patogjeneve eventual,” u shpreh Suka.

Cila është rëndësia dhe çfarë shërben gëlqerosja e pemëve?

Ndërsa sa i përket rëndësisë së gëlqerosjes së pemëve njohësi i kësaj fushe, Hajrush Suka theksoi: “Një numër i madh i dëmtuesve (insekte të ndryshme) dhe patogjenëve dimërojnë pikërisht në lëvoren e pemëve. Kështu që lyerja me gëlqere e pamundëson daljen e tyre apo më mirë me thënë i shkatërron ato.”

“Lyerja me gëlqere, pemët i mbron deri diku edhe nga brejtësit si që janë lepujt dhe minjtë e fushës të cilët në mungesë të ushqimit, sidomos kur shtresa e borës është e trashë, shpeshherë shkaktojnë dëme të mëdha e në rastet ekstreme edhe shkatërrimin e plotë të pemishtes. Një rast i tillë tek ne ka ndodhur në dimrin e vitit 2011/2012 ku për shkak të borës së madhe e cila pati mbuluar ushqimin e brejtësve ata patën shkatërruar pemishte të tëra, duke u ushqyer me lëvoren e trungut të tyre,” u shpreh Suka.

Te shqiptarët gëlqerosja e pemëve është një traditë që është trashëguar brez pas brezi për të treguar ardhjen e verës dhe përfundimin e saj.

“Lyerja e pemëve me gëlqere, është një traditë që është ruajtur me arsye gjer në ditët e sotme.

Përveç anës estetike, gëlqerosja ka një rol të rëndësishëm mbrojtës tek pemët. Gëlqerja e shuar është një baktermbytës edhe këpurdhëvrasës i mrekullueshëm. Ngjyra e bardhë reflekton dritën e diellit duke zvogëluar kështu nxehjen e lëvores së pemës. Nuk ngjet kështu edhe me pemët e pa gëlqerosura (ngjyra e mbyllët),” deklaroi Suka.

Për ata që ende nuk i kanë gëlqerosur pemët dhe që dëshirojnë t’i gëlqerosin ua sjellim një recetë se si duhet vepruar.

Përgatitja:
5 kg gëlqere e shuar
500 gr kripë
250 gr squfur për tretje.

Kjo sasi përzihet me 15-18 litra ujë për të bërë një masë relativisht të trashë të përshtatshme për aplikim me furçë ose me rul.

Kjo mënyrë duhet vepruar para reshjeve të borës dhe në fillim të pranverës.