26-vjeçarja ikë me të dashurin dhe i thotë burrit: Më rrëmbyen 4 vetë me maska

“Më kanë rrëmbyer 4 veta të maskuar. Më detyruan të futem në makinën e tyre. Tani sa kemi kaluar Fushë- Krujën”. Përmes kësaj telefonate një 26-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, ka alarmuar bashkëshortin e saj në shkurt të këtij viti. Menjëherë ai ka lajmëruar policinë për ngjarjen, pa ditur se gjithçka ishte një sajesë e bashkëshortes për të justifikuar takimin me një shok të saj.

Pak orë pasi policia u njoftua për ngjarjen, 26- vjeçarja Edlira P. u gjet në një automjet që po shkonte në drejtim të Durrësit. Ajo ishte në shoqërinë e dy personave, të cilët s’dinin gjë për rrëmbimin e gruas. Për me tepër, ata dinin se femra që kishin në makinë quhej Jona dhe ishte 23 vjeç. Edhe para oficerëve të policisë ajo nuk e ka kursyer historinë e fantazuar, sikur ishte rrëmbyer nga 4 persona të maskuar. Pak ditë më parë, Edlira P. u deklarua fajtore nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “kallëzimit të rremë” dhe u gjobit me 100 mijë lekë. Sipas Gjykatës, 26-vjeçarja kishte kallëzuar me dashje një krim që nuk kishte ndodhur. Gjatë gjykimit ajo ka pranuar akuzën dhe është shfaqur e penduar.

HISTORIA

Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se në datën 19.02.2015 është njoftuar salla operative se në një zonë periferike të Tiranës ishte rrëmbyer një femër. Personi që ka dhënë njoftimin ishte shtetasi K.P. Ky shtetas ka informuar punonjësit e policisë së Komisariatit nr.5 se i kishin rrëmbyer bashkëshorten e tij, Edlira.P. Ajo ka kontaktuar me telefon me bashkëshortin e saj dhe i kishte thënë se e kishin rrëmbyer katër persona me një automjet dhe kishin kaluar qytetin e Fushë- Krujës. Punonjësit e policisë janë vënë në kërkim dhe në fshatin Katund i Ri, Durrës kanë ndaluar një automjet tip “Benz Mercedes”, brenda të cilit ndodheshin Edlira.P., Re.B. dhe Xhe.C. Këta persona janë shoqëruar ne Komisariatin e Policisë nr.5, Tiranë.

KALLEZIMI I RREME

Gruaja ka kallëzuar përpara oficereve të Policisë Gjyqësore se ajo është e martuar prej nëntë vjetësh me shtetasin K.P., dhe kanë dy fëmijë. Rreth orës 10:30 të datës 19.02.2015, i kanë telefonuar te një numër, të cilin më parë e kishte pasur bashkëshorti i saj dhe i kanë thënë të dilte nga shtëpia, ose do të shkonin të merrnin djalin e saj te shkolla.

Ajo nga frika kishte veshur pallton dhe kishte dalë tek rruga përpara banesës. Atje ishte një automjet gri, tip “Golf”, brenda të cilit ndodheshin katër persona me maska. Ata e kanë futur brenda Edlirën, i kanë lidhur duart, i kanë marrë telefonin dhe janë nisur drejt Fushë-Krujës. I ka telefonuar bashkëshorti, por ajo nuk ka mundur t’i përgjigjet, pasi nuk e kishte telefonin. Më pas e ka marrë në telefon vjehrra dhe e kanë lejuar të përgjigjet. Ajo i kishte thënë vjehrrës që t’i thoshte bashkëshortit mos t’i çonte fëmijët në shkollë. Vjehrra i kishte thënë se biri i saj kishte shkuar në polici për të bërë denoncim.

Kur personat kanë marrë vesh se bashkëshorti i saj kishte shkuar në polici, kanë vendosur të ktheheshin dhe e kanë zbritur Edlira.P. te shinat e trenit në Tiranë. Njëri prej tyre që quhej Besmir, i cili kishte një thikë dhe ia mbante Edlira.P. në shpinë, ka hequr maskën dhe e ka shoqëruar atë në qendër të Tiranës. Kur kanë qenë te xhamia, ajo ka folur në telefon me një të njohurin e saj Re.B., të cilit i ka kërkuar të vinte dhe ta merrte. Kur ka ardhur Re.B., Besmiri ishte larguar.

Pasi është takuar me Re., janë nisur së bashku me automjet në drejtim të Durrësit. I kishte ndaluar policia dhe i kishte sjellë në Komisariatin e Policisë nr.5, Tiranë. Ajo dinte që bashkëshorti i saj kishte konflikt me disa shtetas nga Burreli, të cilët kishin ardhur te shtëpia dhe i kishin thënë t’i bënte të fala bashkëshortit nga dikush nga Burreli. Rrugës nga shinat e trenit te xhamia nuk kishte njoftuar policinë, pasi Besmiri që e shoqëronte kishte thikë. Edlira P. ka deklaruar se nuk kishte lidhje jashtë martesore me ndonjë nga personat, me të cilët kishte qenë gjatë ditës. Ajo ka pohuar se e kishin rrëmbyer dhe nuk ishte larguar me dëshirën e saj. Nuk kishte njoftuar bashkëshortin , pasi nuk e kishte lënë Besmiri, kështu që kishte njoftuar të njohurin e saj, Re.B.

DESHMIA E SHOKUT

I pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore, shtetasi Re.B. ka deklaruar se kishte rreth një vit e gjysmë që e njihte shtetasen, e cila kishte qenë në automjet me të dhe e dinte që quhej Jona. I kishte telefonuar dhe e kishin lënë të takoheshin në qendër të Tiranës. Ai e dinte se Jona (Edlira P.) ishte 23 vjeç dhe ishte beqare. Pasi ishin takuar, ishin nisur drejt Durrësit bashkë me një kushëririn e tij. Edlira P. i kishte thënë se ishte zënë me njerëzit e familjes dhe donte të rrinte me të. Rrugës i kishte ndaluar policia dhe i kishte shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr. 5, Tiranë.

DESHMIA E BASHKESHORTIT

Bashkëshorti i të pandehurës ka deklaruar se nuk e kishte gjetur bashkëshorten në shtëpi. Kishte lajmëruar vjehrrën, e cila kishte ardhur menjëherë. Ai kishte tentuar t’i telefononte bashkëshortes, por ajo nuk e ngrinte telefonin. Bashkë me vjehrrën kanë shkuar në polici dhe kanë njoftuar në lidhje me largimin e saj. Rreth orës 14:10 kishte mundur të lidhet me telefon dhe të shoqen, dhe ajo i ka thënë se e kishin rrëmbyer katër persona të armatosur dhe të maskuar. E.P. i kishte thënë gjithashtu se kishte rreth gjysmë ore që kishin kaluar Fushë-Krujën. Ai e kishte marrë me rezervë këtë informacion, por megjithatë ua kishte transmetuar punonjësve të policisë.

Artikulli paraprakVetëvrasja: Hidhet nga kati i tetë djali i miliarderit të çelikut (Foto)
Artikulli vijuesKërçovë, incident me armë zjarri