44 vjet pas paraqitjes së kërkesës, vihet guri i themelit i xhamisë së parë në Slloveni

Kryeministrja e Sllovenisë, Alenka Bratusek, ka vënë gurin e parë të themelit të xhamisë së parë në vend. Xhamia do të ndërtohet në një ish zonë teknologjike të kryeqytetit Lubjana. Janë dashur mbi katër dekada që nga paraqitja e parë e kërkesës për ndërtimin e xhamisë, për tu konkretizuar kjo dëshirë dhe nevojë e myslimanëve në Slloveni.

Kryeministrja sllovene, gjatë ceremonisë së vënies së gurit të themelit, tha se ky akt është një triumf simbolik ndaj çdo forme fanatizmi fetar dhe se Evropa nuk do të ishte kaq e pasur kulturalisht pa islamin.
Mbi dhjetë mijë persona morën pjesë në ceremoninë e vënies së gurit të themelit të xhamisë, ku mes tyre dhe kryetari i bashkisë së Lubijanës. Myftiu i Lubjanës, Nexhat Grabos, u shpreh se ndërtim i xhamisë është një projekt civilizues dhe se Lubjana do të bëhet qyteti më i famshëm falë diversitetit.
Sahira Kaxhar, një myslimane 44 vjeçare, e cila ka lindur në vitin ku u paraqit kërkesa e parë për ndërtimin e xhamisë në Lubjanë, u shpreh se:”Kjo është një ditë e shënuar për mua. Tashmë do të kemi një vend të përshtatshëm për të kryer ritet tona dhe nuk do të falemi në salla dhe vende të tjera publike.”
Punimet për ndërtimin e xhamisë do të fillojnë në nëntor dhe do të përfundojnë në vjeshtën e 2016. Bashkë me xhaminë do të ndërtohet dhe një kompleks, i cili përmban një qendër kulturore, bibliotekë, salla studimi etj… Kostoja e ndërtimit të xhamisë është 12 milionë euro të cilat do të mbulohen nga shteti i Katarit.
Sipërfaqja mbi të cilën do të ndërtohet xhamia dhe qendra është 11 mijë m/2.
Kërkesa e parë zyrtare për ndërtimin e xhamisë u është dorëzuar autoriteteve sllovene në vitin 1969. Vetëm këtë vit ky problem mori zgjidhje, kur bashkia e Lubjanës ia shiti truallin në fjalë një grupi biznesmenësh myslimanë të Lubjanës, ku banojnë 50 mijë myslimanë.
Disa herë më parë myslimanët kanë bërë përpjekje për marrjen e lejes, por janë përballur me kundërshtime. Madje, pati kërkesa edhe për zhvillimin e një referendumi lidhur me xhaminë, por gjykata e lartë e hodhi poshtë këtë kërkesë të cilën e konsideroi si antikushtetuese. /aonline/kohaislame

Artikulli paraprakDeklarata e Mursit: Mbroj qëndrimet e mia deri në frymën e fundit
Artikulli vijuesIslanda refuzon hyrjen në BE