Kurti: Haradinaj nuk ka parime

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka deklaruar se kjo parti do të përfundojë epoka e qeverive Thaçi, derisa deklaron se Ramush Haradinaj nuk ka as program, as parime dhe as ekip, por ecën duke parë se çka i jep gjasë të bëhet kryeministër.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, në intervistën për “Epokën e re” ka deklaruar se kjo lëvizje synon të dalë subjekti i parë politik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat pritet të mbahen këtë vit.

Ai ka thënë se me ardhjen e Vetëvendosje!-s në Qeveri do të përfundojë epoka e qeverive Thaçi.

Edhe pse ka shprehur optimizëm se Vetëvendosje! do t’i fitojë zgjedhjet nacionale, Kurti nuk e ka pohuar e as mohuar se do të jetë kandidat për kryeministër të Kosovës. “Do të garojmë me kandidatët tanë për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kur të mbërrijmë atje, sigurisht se do të vendosim siç është më së miri”, është shprehur Kurti.

Duke iu referuar çështjeve të koalicioneve, Kurti ka thënë se do të jetë i hapur për koalicione me të gjitha ato parti që kanë përputhje të programeve me të Vetëvendosje!-s.

“Pasi të jemi subjekti i parë do të shikojmë të bëjmë koalicion me subjektet e tjera, varësisht nga përputhjet programore dhe besueshmëria e ndërsjellë. Pra, propozojmë alternativën qeverisëse dhe shikojmë se çfarë kanë të tjerët. Të tjerëve programe nuk u kemi parë ende. Ju e keni parë alternativën qeverisëse të Vetëvendosje!-s, por të tjerët garojnë vetëm me fytyrat e liderëve. Vetëvendosje! garon me konceptin e saj politik dhe me alternativën e saj qeverisëse. Duhet t’i shohim njëherë programet e tyre, por edhe për angazhimin e njerëzve nga partitë e tjera në qeverisjen e Vetëvendosje!-s duhet të shikojmë se kush janë ata persona, a ekziston besimi i ndërsjellë. Ka persona të partive të tjera në të cilët kemi besim, por ka edhe shumë prej atyre të cilëve u besojmë po aq sa qeverisë e nganjëherë ndoshta veçse më pak”, ka thënë Kurti, duke shtuar se disa parti politike kanë filluar t’i ndryshojnë qëndrimet.

“Këto parti politike që janë në Kosovë duhet të ndryshojnë. Është e domosdoshme që në vitin 2014 këto parti të orientohen kah shteti zhvillimor të cilin e propozon Vetëvendosje!, kah ekonomia prodhuese dhe prodhimi vendor, kah ndërprerja e privatizimit të egër dhe abuziv, kah ndërprerja e këtij dialogu me Serbinë, i cili po bën që Serbia të avancojë drejt BE-së e të zgjerohet brenda Kosovës. Këto parti duhet të ndryshojnë. Vetëm më pas ne mund të bashkëpunojmë në koalicione. Kështu siç janë sot, jo, por ka shenja që ato do të ndryshojnë. Kjo po shihet edhe në deklarimet e tyre të ndryshme, ku tash janë duke e kritikuar marrëveshjen Thaçi – Daçiq, të cilën para gjashtë muajsh e votuan”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkaq, duke i komentuar kritikat e liderit të AAK-së në adresë të Lëvizjes Vetëvendosje!, Kurti ka thënë se Ramush Haradinaj nuk ka as program, as parime e as ekip. “Haradinaj nuk ka as program, as parime dhe as ekip. Ai ecën duke parë se çka i jep gjasë të bëhet kryeministër. Kaq”, ka thënë Kurti.

Artikulli paraprakIrak: Falluxha tërësisht nën kontrollin e “Shtetit Islamik”
Artikulli vijuesKosovarët më pro amerikan se vetë amerikanët