Kërcitja e dhëmbëve natën

Kush kërcet dhëmbët në gjumë është duke bluar një problem – qoftë mekanik apo shpirtëror.

Kërcitja e dhëmbëve në gjumë nuk është ndonjë dukuri e rrallë tek njerëzit. Sipas një studimi që bëri Maurice Ohayon dhe trupa e tij e Universitetit të Standord-it të SHBA-së, duke hulumtuar mbi 13 000 vetë në Gjermani, Angli, dhe Itali doli se më tepër se 8% të të pyeturve kërcisnin dhëmbët të paktën një herë në javë.
Kjo kërcitje shkakton më tepër se shqetësimin e bashkëshortit në prehjen e natës. Fërkimi i zhurmshëm i dhëmbëve mund të sjellë edhe shqetësime nga ana e shëndetit.

Vetë ata që fërkojnë e kërcasin dhëmbët gjatë natës nuk e marrin për kaq shqetësues këtë veprim të tyre dhe shpesh nuk e kuptojnë që pikërisht ky fërkim u jep të nesërmen dhimbje të nofullave, kockave, kokës apo shtrëngim të muskujve të fytyrës. Përsëritja e këtij fërkimi dhe kërcitjeje të dhëmbëve me kohën sjell si pasojë gërvishtje apo edhe vrimë në dhëmbë.

Sipas kirurgut të nofullave Ralf-Schön të Universitetit të Freiburg-ut vetëm 15% e të prekurve ndjejnë dhimbje, të cilat mund të jenë tepër të mëdha. Kjo është e kuptueshme pasi hulumtimet kanë treguar se fazat e shtrëngimit të nofullave mund të zgjasin deri në 45 minuta dhe mund të jetë disa herë më i madh se shtrëngimi i zakonshëm i nofullave gjatë mbllaçitjes.

Një mënyrë për të penguar këtë dëmtim të dhëmbëve është përdorimi i një proteze lëkure artificiale që u vishet dhëmbëve duke penguar kështu gërryerjen e tyre. Ata që i shtrëngojnë fort nofullat gjatë natës kanë nevojë për një protezë prej një materiali më të fortë nga i zakonshmi.

Artikulli paraprakPolicisë së Kosovës i shtohen 19 majorë dhe 64 kapitenë
Artikulli vijuesPastat e dhëmbëve – çfarë nuk keni ditur