Nipi i diktatorit Enver Hoxha kapet me 100 kg kokainë

Një laborator prodhimi dhe përpunimi droge është zbuluar nga policia ditën e djeshme. Në pranga kanë rënë 8 persona, mes tyre dy kolumbianë. Burime zyrtare nga policia e Shtetit konfirmuan se janë arrestuar Gentian Gjonaj, Arian Dalipi, Ilir Hyseni, Klemend Dalipi nga Elbasani, Ermal Hoxha, Saimir Butka nga Tirana dhe Cesar Avila e Walther Moreno nga Kolumbia. Mes të arrestuarve është Ermal Hoxha, nipi i ish diktatorit komunist, Enver Hoxha. Ermal Hoxha, bashkëshorti i këngëtares së njohur Rezarta Shkurta, u arrestua sot pasdite në Tiranë, i konfirmuan agjencisë noa.al, burime nga Policia e Shtetit. Në automjetin e Saimir Butkës u gjetën 18 kg kokainë dhe 300 mijë euro. Ndërkaq persona të tjerë janë shoqëruar nga policia e Durrësit. Në laborator, i cili ndodhet në Xibrakë, fshat afër zonës së Labinot Fushë dhe Labinot Mal, rreth 15 kilometra larg qytetit Elbasan, janë gjetur e sekuestruar nën cilësinë e provës materiale një sasi prej 100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë e pastër si dhe 4 tonë përzierës kokaine. Laboratori ishte adoptuar tek një ish stallë lopësh e kthyer prej vitesh në magazinë. Në këtë magazinë shitej edhe lëndë drusore, si kamuflim për praninë e njerëzve që gjendeshin aty. Mësohet se kokaina kishte si destinacion tregun e Europës dhe më konkretisht shtete si Gjermania, Belgjika dhe Holanda. Në vendngjarje kanë mbërritur ekspertë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda si dhe kryeprokurori Adriatik Llalla. Operacioni po vijon edhe në Tiranë e Durrës. Ky aksion është organizuar dhe realizuar nga forcat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Europol dhe Interpol. Në aksion kanë qenë të pranishëm edhe forca të policisë së Amerikës Latine, ndërsa hetimi po vijon prej 6 muajsh. Nxitjet e para për këtë hetim kanë ardhur nga Gjermania. Më tej ka nisur një procedim penal nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pas përgjimeve telefonike është dalluar se bëhet fjalë për një grup të strukturuar. Dy shtetasit e huaj të arrestuar janë kapur në flagrancë brenda në laborator, ndërsa të tjerët në qytetet Tiranë, Elbasan e Durrës. Mësohet se dy kolumbianët ishin të specializuar për të përzier kokainën me qëllim përgatitjen e saj për shitje. Duke llogaritur se një gram kokainë e përzier në masën 60 për qind, sipas policisë në tregun e zi, shitet rreth 100 euro, vlera e kokainës së sekuestruar është jo më pak se 10 milionë euro. Operacioni vijon dhe mendohet se numri i bashkëpunëtorëve dhe anëtarëve në këtë rrjet të trafikut të lëndës narkotike është shumë më i madh. Shqiptarët e arrestuar janë nga operacioni i koduar “Xibraku”: Gentjan Gjonaj, Erjon Dalipi, Ilir Hyseni, Klemend Dalipi, Ermal Hoxha, Sajmir Butka. Dy kolumbianët e arrestuar: Cezar Avila dhe Walver Morena në qytetin e Elbasanit.

Artikulli paraprak16 vjet nga maskra në Reçak
Artikulli vijuesUnioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër reagon në lidhje me satirizimin e Profetit Muhamed