Microsoft ka organizuar në mbrëmjen e së mërkurës një konferencë në selinë e tij në Redmond, Uashington, ku foli për kapitullin e ri të Windows 10.
Një nga produktet e reja që do të vijë me sistemin e ri operativ është shfletuesi i ri.
Shfletuesi i ri do të quhet Spartan, për momentin, pasi është një emër projekti, dhe do të mbështesë një motor të ri pasqyrimi.
“Aktualisht po punojmë në tre veçori të rëndësishme,” ka thënë nënpresidenti i korporatës, Joe Belfiore.
Mesa duket, pasardhësi i Internet Explorer ka një modalitet “Note”. Kjo do të thotë se mund të bëni ilustrime mbi shfletues.
Ju mund të shtoni komente në çdo faqe ueb me një veçori të re shënimesh, një opsion që bën më të lehtë ruajtjen e përmbajtjeve tek OneNote.
Ka edhe një modalitet të ri leximi me një listë të integruar të të lexuarit, që do të ruajë përmbajtjet për t’i parë kur nuk ka internet. Ky modalitet e largon çdo përmbajtje të faqes ueb, duke mbajtur vetëm tekstin në shfletues për një lexim më të lehtë.
Tek shfletuesi Spartan është integruar gjithashtu asistenti virtual Cortana. Microsoft deklaroi se po punon për veçori të tjera që do të vijnë tek ky shfletues.