Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pohuar sot gjatë seancës parlamentare se autoritetet shqiptare janë njoftuar për lajmin se forcat spanjolle kanë rrëzuar një helikopter me drogë që vinte nga Maroku dhe drejtuesi i helikopterit është major i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, i identifikuar me emrin Sokol Feka, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ministria e Jashtme është njoftuar lidhur me një ngjarje të rëndë të ndodhur në Spanjë, ku strukturat e gardës civile spanjolle kanë rrëzuar një helikopter që transportonte drogë nga Maroku drejt Spanjës dhe piloti i helikopterit është një major i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ky major është në strukturat e Forcave të Armatosura prej 18 vitesh, ku gradën e majorit e ka marrë në vitin 2009 dhe është një ndër pilotët më të besuar të forcave tona të armatosura”- ka deklaruar Rama sot në Kuvendin e Shqipërisë.
Ndërkohë lidhur me këtë lajm ka reaguar zyrtarisht edhe Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, ku ka konfirmuar se është informuar në rrugë zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë se një ngjarje e pakëndshme ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Spanjë.
“Guardia Civil spanjolle njoftoi se është rrëzuar një helikopter, i dyshuar se po merrej me aktivitet të paligjshëm. Nga verifikimet paraprake, helikopteri udhëtonte nga Maroku në Spanjë. Si pasojë e rrëzimit të helikopterit piloti ka rezultuar i vdekur. Bazuar në dokumentet e gjetur mendohet se ky person të jetë shtetasi shqiptar Sokol Feka, major, me detyrë instruktor në Bazën Ajrore të Farkës”- thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ministra Mbrojtjes ka sqaruar se është duke bërë verifikimet nëse dokumentet e gjetura përkojnë me shtetasin në fjalë.
Major Feka është pjesë e Forcave të Armatosura prej 18 vitesh dhe mban gradën major që nga viti 2009. Me informacionin që Ministria e Mbrojtjes disponon, shtetasi Feka ka marrë lejen e zakonshme për periudhën 12 – 31 janar 2015, por nuk ka aplikuar për leje për të dalë jashtë vendit, duke shkelur rregullat e parashikuara në ligjin për Statusin e Ushtarakut në Republikën e Shqipërisë. Përmes një shkresë zyrtare, Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar verifikimin të lëvizjeve të shtetasit Feka, Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit.