I vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj serbit të dyshuar për terrorizëm, Slobodan Gavriq

Prokuroria Speciale e Kosovës ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj serbit Slobodan Gavriq, i cili ishte arrestuar nën dyshimet për akt terrorist në Prishtinë.

 

Avokati Muhamet Humolli, i cili ishte caktuar si avokat mbrojtës i Gavriqit, ka thënë për KTV-në se më 27 janar i është vazhduar masa e paraburgimit.

 

Slobodan Gavriq, 46 vjeç, shtetas i Serbisë, ishte ndaluar nga policia në lagjen “Arbëria”, nën dyshimet se ka pretenduar të kryente sulm terrorist. Në veturën e tij ishte gjetur sasi e madhe e eksplozivit, që dyshohet se ka qenë e planifikuar të përdoret për kryerjen e aktiviteteve terroriste.

 

Atij iu gjeten rreth 13 kg eksplozivë dhe harta të qytetit të Prishtinës. Ai u arrestua afër Ambasadës amerikane në Prishtinë dhe ka hyrë nga pika kufitare e veriut të Kosovës, transmeton Koha.net.

 

Pak ditë para hyrjes me eksploziv, Gavriq ka qëndruar në Prishtinë dhe ka marrë një dhomë me pagesë në hotelin “Grand Prishtina”.

 

Artikulli paraprakKorrupsioni në Maqedoni vazhdon të ‘lulëzojë’
Artikulli vijuesNjë person i vrarë në Prizren