“Bombat” e opozitës, Maqedonia para destabilizimit të madh!

Maqedonia ndodhet para një krize të thellë politike e madje edhe destabilizuese për sigurinë e vendit, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, duke komentuar akuzat e ngritura nga Ministria e Punëve të Brendshme ndaj liderit të opozitës, Zoran Zaev për puç shtetëror, rrëzimin e pushtetit përmes publikimit të dëshmive për afera të rënda kriminale të qeverisë aktuale.

 

“Mendoj se zhvillimet e fundit në mënyrë plotësuese do ta komplikojnë gjendjen edhe ashtu të brishtë politike, por ndoshta edhe do të radikalizojnë tërë situatën në Maqedoni. Mendoj se kryeministri Gruevski me paraqitjen e tij e ka vënë në një situatë më të keqe liderin e opozitës, pasi në vend të tij, tani lojën do ta luajë lideri i VMRO-DPMNE-së”.

 

“Por, nga ana tjetër edhe materialet që do të publikohen, e për të cilat edhe vetë Gruevski tha se një pjesë e tyre janë të vërteta, do ta vënë Qeverinë në një situatë aspak të mirë. Kështu që, mendoj se na pret një periudhë aspak e mirë për të ardhmen e vendit. Por, duhet të presim të publikohen dëshmitë, për të cilat tani disa muaj flet lideri i opozitës“, thotë analisti politik, Petar Arsovski.

 

Kryetari Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, tani disa muaj paralajmëron aktivizimin e “bombave“, siç i quan ai dëshmitë e shumta që ka arritur t’i sigurojë për “punën kriminale dhe aferat e shumta për qeverinë aktuale“, por ishte kryeministri Nikolla Gruevski, ai që një ditë më parë doli në opinion duke akuzuar Zaevin se përmes shërbimeve të jashtme sekrete tenton të rrëzojë qeverinë aktuale.

 

Gruevski ka pranuar se në materialet që posedon Zaevi, ka të vërteta, gjysmë të vërteta, por edhe të pavërteta, por pavarësisht kësaj, kryeministri tha se do të paraqitet në gjyqin e Zaevit, për të nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën dhe tradhtitë që lideri i opozitës i ka bërë vendit, duke bashkëpunuar me shërbime sekrete të huaja.

 

Sefer Tahiri, njohës i çështjeve politike dhe ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se kryeministri Gruevski në paraqitjen e tij ka manifestuar frikë për këtë skandal të rëndë, që nuk është parë asnjëherë që nga vendosja e pluralizimit në Maqedoni.

 

“Konsideroj se kryeministri dhe Qeveria aktualisht janë në një pozitë shumë të vështirë, sepse ‘bomba’ e paralajmëruar që nga tetori, si duket tashmë do të shpërthejë dhe kjo do të ketë pasoja të jashtëzakonshme ndaj Qeverisë, do të shtojë revoltën e qytetarëve, jo vetëm tek ata që i takojnë opozitës, por edhe te vetë anëtarët dhe simpatizuesit e VMRO-DPMNE-së, të cilët nuk do të pajtohen me një politikë të tillë, që në vete përmban vepra kriminale“, konsideron Tahiri.

 

Ai vlerëson se lideri i opozitës ndoshta duhej që dëshmitë t’i publikonte më herët për të mos pritur momentin që kryeministri të dalë me akuza kundër tij për “puç shtetëror“.

 

Por, Tahiri nuk e përjashton edhe mundësinë që kjo të jetë pjesë e taktikës së Zaevit, që gjithsesi se në këtë rast është i koordinuar edhe nga përfaqësues të ndryshëm të komunitetit ndërkombëtar. Zgjidhjen e situatës tashmë të rëndë politike, ai e sheh te formimi i një qeverie teknike, e cila do të organizonte zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 

“E gjithë kjo mendoj se do të ketë një impakt të madh tek elektorati dhe qeveria teknike e formuar nga partitë politike parlamentare do të jetë zgjidhja e përkohshme dhe me siguri se më pas do të shkohet në zgjedhje të parakohshme, por të cilat do të organizoheshin në kushte korrekte dhe demokratike“, thekson Tahiri.

 

Lidhur me zhvillimet e fundit ka reaguar edhe ambasada e SHBA-së në Maqedoni, duke kërkuar nga institucionet sigurimin e një procesi transparent, sundimin e ligjit dhe mbrojtje e fjalës së lirë.

 

“Ambasada e SHBA-së po ndjek me shqetësim rastin penal kundër kreut të opozitës Zoran Zaev dhe arrestimin e tre personave të tjerë nën akuzën se kanë bërë përpjekje të kërcënojnë rendin kushtetues. Ftojmë autoritetet që në këtë rast të përmbushin standardet më të larta të sundimit të ligjit, transparencës, drejtësisë, të mbrojtjes së fjalës së lirë, si dhe të pavarësisë së Gjyqësorit me qëllim sigurimin e integritetit të proceseve demokratike në Maqedoni”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane në Maqedoni./Marrë nga Radio Evropa e Lirë

Artikulli paraprakYmeri: Qeveria në panik, po përpiqet t’i frikësojë qytetarët
Artikulli vijuesShqipëria është në alarm si pasojë e kushteve të këqija atmosferike (Video)