iPhone 6. Kostum sportiv Nike. Xbox-in e fundit. Një çantë e shtrenjtë. Skateboard. . Lego Star Wars. Kukull. DVD me lojërat më të fundit. Televizion 3D. Premier League kit futboll. . . Lista e kërkesave të fëmijëve që shurdhon çdo ditë prindërit është pafundësisht e gjatë, e në shumë raste me çmime që të marrin frymën.
Të marrësh një listë të tillë me kërkesa është pjesë e të qenit prind. Por, si një nënë apo baba mund ta ndajë nëse kërkesa është e drejtë, apo të thotë Jo? Si mundet që fëmijët të kuptojnë vlerën e parave, rëndësinë e kursimit dhe rreziqet e borxhit?
Kurrë më parë nuk ka qenë më i rëndësishëm mësimi i të rinjve me bazat e një kulture financiare, sot janë të shumtë ata që e nisin jetën e tyre të pavarur nën presionin e borxheve të nisura që nga koha e të qenit student, që kanë mundësi të pakta (shpesh dhe pamundësi) për të paguar kostot e jetës që sa vijnë e shtrenjtohen.
Të shumtë janë ata që dorëzohen përballë kambanës së përmuajshme të kredisë. Pas moshës 18 vjeç, çdo i ri mund të aplikojë për kartë krediti, mund të marrë një kredi për makinë apo siç ndodh më shpesh një kredi konsumatore. Mjafton pak kohë keqpërdorim i tyre, që të zhytesh në një borxh afatgjatë.
The Money Advice Service, një organizatë bamirëse britanike, ka zbuluar në një studim të saj se tre të katërtat e të rinjve deri në 20 vjeç kishin gabuar në menaxhimin e të ardhurave gjatë pavarësisë së tyre financiare, për 15 për qind të tyre borxhet kishin “dalë jashtë kontrollit”.
Shpërthimi i madh i produkteve financiare në treg e ka bërë të domosdoshëm të kuptuarin mbi mënyrën se si funksionon paraja.
Sipas faqes së internetit Moneyfacts, numri i përgjithshëm i hipotekave konvencionale në treg, mbi të cilat merret një produkt financiar, prej 2007-ës është rritur nga 2646 në 4187. Vetëm ata që do të kenë njohuritë e nevojshme do të mund të kalojnë “pa u humbur” në këtë pyll.
Kurse, pastaj shpenzo
Konceptet bazë për paratë fëmijët i marrin që në moshat tre dhe katër vjeç, kur krijojnë idenë e monedhave që vendosin në derrkucin e tyre të kursimit.
Më tej ata “armatosen” me shumat simbolike të parave të xhepit që përbën edhe shtegun e tyre të parë drejt llogarive bankare të kursimit.
Me rritjen e fëmijëve bisedat për paratë sa vijnë e sofistikohen. Shumë mirë një prind mund të diskutojë për kursimin me fëmijën e tij teksa blen në supermarket, ku oferta e mallrave të njëjtë dhe çmimet e tyre që ndryshojnë sipas cilësisë janë një mënyrë e thjeshtë për të ilustruar ligjin bazë të kursimit.
Edhe krahasimi i çmimeve në faqet e internetit është një mënyrë ku fëmijët mund të shohin qartë mundësinë e kursimit potencial.
“Këto janë mënyra për përfshirjen e të rinjve në zgjedhjet e përditshme të shpenzimeve duke ju hapur atyre sytë për realitetin e parave dhe financave”, thotë Russell Uinnard, një këshilltar për arsimin financiar.
Rëndësi ka edhe sasia e parave të xhepit, paçka se ajo është e ndryshme për familje të ndryshme në varësi të pasurisë apo kulturës. Disa u japin fëmijëve para xhepi për nevojat e tyre, të tjerë përpiqen që edhe t’i përfshijnë në blerjet familjare e ca të tjerë e shohin thjeshtë si një të drejtë themelore. Por shumica fillojnë me shuma të vogla, të cilat rriten së bashku me rritjen e fëmijës.
Richard Bertin, drejtor i FF&P Wealth Planning, thotë se një çështje për të cilën mund të flasim në një shesh lodrash është edhe sasia e parave që u japim fëmijëve.
“Sigurisht është më e lehtë një bisedë e tillë për paratë që u lini fëmijëve në xhep, sesa të pyesësh tjetrin se sa e keni rrogën”, thotë ai.
Për shumicën, paratë e xhepit nënkuptojnë hapjen më pas të një llogarie bankare. Rëndom prindërit kontrollojnë në vitet e para të adoleshencës mënyrën se si fëmijët e tyre i kursejnë dhe shpenzojnë paratë që kanë në dispozicion.
Por pasja e një llogarie bankare është një mënyrë e mirë për t’i bërë fëmijët të sigurt në lidhje me paratë, thotë zoti Uinnard: ato që nuk kanë patur një llogari bankare, në vitet në vijim janë më shpesh të përjashtuar financiarisht nga shoqëria”. Megjithatë, sipas tij, hapja e një llogarie bankare është një vendim individual i prindit i bazuar në nevojat e fëmijës së vet.
“Në shkolla i kushtohet shumë pak vëmendje edukimit financiar të nxënësve”, thotë zoti Uinnard, i cili e ilustron këtë me një vizitë që kishte patur në shkollat e Londrës, ku kishte konstatuar se të gjithë fëmijët e moshës 12-13 vjeçare që kishin me vete një telefon celular, nuk e dinin se sa ishte kostoja mujore e tij.
Një prind tha për Financial Times, se vajza e tij bëri një harxhim shumë të madh me telefonin celular gjatë një ekskursioni shkollor jashtë vendit, pasi u kishte dhënë telefonin të gjithë shokëve e shoqeve që donin të flisnin me familjet e tyre, pa e patur idenë e tarifave ndërkombëtare të telefonisë së lëvizshme.
Edukimi financiar është i lidhur ngushtë me mësimin e matematikës, por nxënësit në Britaninë e Madhe kanë mungesa të mëdha në mësimin e saj.
Sipas National Numeracy Challenge, katër nga pesë nxënës britanikë klasifikohen me një “nivel të ulët të dijeve në matematikë”. “Të dhënat tregojnë se në periudhën 2003-2011, niveli në shkrim e lexim është përmirësuar, ndërkohë që dijet në matematike kanë rënë në një bazë më të ulët,” thotë një ekspert i arsimit.
Megjithatë, ka arsye për të qenë optimist sa i takon edukimit financiar. Tabuja historike se diskutimi për paratë bëhet vetëm në familjet e klasës së mesme është zbehur në masë të madhe.
Nga viti i kaluar, edukimi financiar është bërë pjesë e programit mësimor kombëtar në shkollat e mesme. Organizata joqeveritare të tilla si Pfeg, pjesë e Young Enterprise, si edhe RedSTART, ofrojnë mundësi të shumta për prindërit që duan të përcojnë tek fëmijët e tyre edukimin për financat dhe paratë. Në këtë nismë janë përfshirë edhe Bankat: Metro Bank nxit vizitat e nxënësve në 32 degët e saj, ku ata marrin njohuri për kursimin, bankingun, buxhetimin etj.
Mjaft prindër e shikojnë punën me kohë të pjesshme ose gjatë fundjavës – ligjërisht e lejueshme për moshat mbi 16 vjeç – si një pjesë të rëndësishme e edukimit financiar të fëmijëve. Kështu ata, përveçse kuptojnë se çfarë sakrifice është të punosh gjashtë ditë në javë, kanë mundësinë që me të ardhurat e tyre të mund të blejnë atë që duan për Krishtlindje.
Edhe dhënia e financimeve për bamirësi është një tjetër mjet që i nxit fëmijët që të mendojnë përtej nevojave dhe dëshirave të tyre.
Ron Lieber, autor i librit The Opposite of Spoiled, propozon një variant ndryshe për derrkucin e kursimeve.
Në vend të një arke të tillë kursimi, ai mendon se duhen tre: një për kursimet, një tjetër për shpenzimet dhe një tjetër për bamirësi, duke u krijuar atyre mundësinë për të zgjedhur.
Presioni i shokëve
Fëmijët vazhdimisht e krahasojnë veten me bashkëmoshatarët. Kjo ndodh rëndom jo vetëm në aftësitë e interesat që ata kanë, por edhe në aspektin financiar.
“Është e vërtetuar psikologjikisht se njerëzit më shumë se krahasimet absolute, shohin nivelin e pasurisë si shumë më të rëndësishme për vetëbesimin e tyre,” thotë Greg Davies, një drejtues në BarclaysUealth.
Por si duhet të reagojnë prindërit kur fëmija vjen
në shtëpi i djegur nga dëshira për një pajisje të fundit që ia ka parë shokut të klasës, apo si të veprojë ky prind kur shikon se shoku i fëmijës 10 vjeçar vjen me një limuzinë në një festë ditëlindjeje?
Zoti Uinnard thotë se ka mënyra delikate me të cilat prindërit mund t’u shpjegojnë fëmijëve të tyre diferencën me kolegët pasur. Nocioni mbi kredinë është një: kur fëmijët shikojnë një makinë apo shtëpi luksoze, ata nuk e kuptojnë se shumë prej tyre nuk janë në pronësi të plotë të përdoruesve, pasi ata janë blerë me kredi.
“Ka qëndrime të ndryshme: një familje mund të jenë e gatshme për të marrë një rrezik të lartë financiar për një makinë luksoze, një tjetër jo. Nëse pyesim të rinjtë edhe ata do të kenë mendime të ndryshme për këtë dhe do ta shpjegojnë sipas mënyrës së tyre këtë”.
Ndërkohë, familje që pasurohen shpejt, nëpërmjet shitjes së bizneseve apo forma të tjera, kanë shqetësimin se si ti mbajnë fëmijët “me këmbë në tokë”. Për këta njerëz, ekziston rreziku që fëmijët e tyre të kthehen në viktima të një besimi të verbër e me pasoja të paparashikuara, thotë zoti Bertin nga FF&P Uealth Planning.
Shumë prindër reagojnë duke mbrojtur fëmijët e tyre nga pyetjet për pasurinë që kanë. Zoti Bertin thotë se mënyra më e mirë për raste të tilla është që prindërit të investojnë në llogaria afatgjata, si për shembull për arsim apo në llogari kursimi.
Por në realitet shumë familje të pasura, shpesh janë të gatshëm të harxhojnë para për t’u blerë 18 vjecarëve të tyre makina luksi.
“Kur ju u jepni atyre “falas” 20 apo 30 mijë paund përgatituni të keni probleme me trashëgimtarët më pas”, paralajmëron ai.
Virtyti i kursimit është një mësim i parë jetik, por fëmijëve më të rritur duhet gjithashtu t’u mësohet veç kursimit edhe efekti i inflacionit, pra në një fazë të dytë ata duhet të bëjnë diferencën mes kursimit dhe investimit.
Shumë njerëz janë “të sëmurë” në marrëdhënien e kursimit të parave. Për shembull, një person me 2000 paund në bankë dhe me një kartë krediti borxh 2,000 paund zgjedh më mirë të harxhojë në formën më të lehtë, duke patur parasysh normën e lartë të interesit të borxhit.
Persona të tillë janë të gatshëm të zbrazin llogarinë bankare, duke gjetur ngushëllimin psikologjik në kontrollin e rregullt të shifrës totale.
Por shpesh vendimet me paranë nuk kanë natyrë logjike. Ata i tejkalojnë dashuritë për numrat, të cilat ne i përjetojmë me dëshirën për t’u rritur në brendësi të arkës “derrkuc” të kursimeve. /Financial Times/kohaislame