Rashiq kritikon deputetët serbë për bojkotim të Kuvendit

Kur bëhet fjalë për ministrin Aleksandër Jabllanoviq, mendoj se një person nuk do duhej që të bllokonte procesin e kthimit të serbëve në Kosovë, apo përfaqësimin e serbëve në institucione, ka thënë për, Nenad Rashiq, udhëheqës i PDS-së, dhe deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka shtuar se sa më parë duhet të zëvendësohet Jabllanoviq, duke emëruar një ministër tjetër në krye të ministrisë për Kthim dhe Komunitete, dhe të vazhdojë puna.

 

“Për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur, dhe ka një javë që deputetët e Listës Serbe nuk paraqiten në Kuvendin e Kosovës. Kjo është një gabim, një veprim që vetëm keqëson gjendjen e serbëve në Kosovë”, ka shtuar Rashiq për agjencinë serb Beta.

 

Sipas tij, nuk ka arsye që të thellohet kriza etnike, dhe të bëhen spekulime në këtë drejtim.

 

“Në seancë të Kuvendit të Kosovës, kemi dëgjuar se si disa deputetë kritikojnë punën e ministrave serbë, dhe në ndërkohë nuk kanë qenë prezentë deputetët e Listës Serbe që të sqarojnë pozicionin e tyre, dhe kjo nuk shkon as në interes të tyre”, ka shtuar Rashiq.

 

Ai u ka bërë thirrje deputetëve të Listës Serbe që të kthehen në Parlamentin e Kosovës, dhe të punojnë për kthimin e serbëve në Kosovë.

 

Deputetët e Listës Serbe, ka disa ditë që nuk po paraqiten në Kuvendin e Kosovës, si përgjigje ndaj largimit të ministrit të tyre Aleksandër Jabllanoviq, nga ministria për Kthim e Komunitete.

 

Jabllanoviq është shkarkuar nga ky post, pasi që deklarata e tij për nënat gjakovare, të cilat i ka quajtur ‘egërsira’, shkaktojë protesta të mëdha në Gjakovë dhe Prishtinë.

 

Përfaqësues të Listës Serbe, të cilët janë në koalicion me PDK-në dhe LDK-në, kanë thënë se do të pyesin kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, lidhur me vazhdimin e punës së tyre në qeverinë e Kosovës.

 

Por deri më sot, nuk ka asnjë njoftim nga ana e tyre. /Zëri/

Artikulli paraprakEgjipti liron gazetarët e Al Jazeera-s
Artikulli vijuesPrekëse! Ata ikin, të pasurit ngelen