“O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun…” (El-Huxhurat, 12)
Këto ditë, qytetarët e Maqedonisë i ka mbërthyer një makth i tmerrshëm. E ka tronditur edhe opinionin e gjerë, faktorin ndërkombëtar. “Bombat” e Zaevit si dhe “Puçi” i Gruevskit, dy raste të cilat mund t’ia kallin datën Maqedonisë. Natyrisht, pjesa dërmuese e qytetarëve të vendit, deri në këtë moment, po tregojnë pjekuri të lartë qytetarie dhe, nuk po pranojnë që të bijnë pre e skenareve partiake, ndonëse, dorën në zemër, janë gjallë të interesuar që të dinë në detaje se çka është përgjuar prej “vëllait të Madh”! Natyrisht, ky “Vëlla” ka përgjuar dhe do të përgjojë gjithçka! Jo se ka nevojë por, thjesht, kjo është metoda më e pëlqyeshme e tij për ta dëshmuar forcën dhe fuqinë mbi qytetarët e një vendi, sidomos mbi “të padëgjueshmit”, mbi “joluajalët”, mbi “rrebelët kundër psuhtetit”! Ky qëllim (pra, jo përgjimi si akt më vete) duhet të jetë më lemeritësi, sepse, ndjell komunizmin, totalitarizmin, racizmin partiak.
Çka është përgjimi në kontekstin e procedimit penal?! Si e përkufizon jurisprudenca ndërkombëtare këtë dukuri dhe, cili është qëndrimi islam mbi përgjimin si çelësi i përgojimit?
Në Kur’anin Famëlartë thuhet: “ Dhe uleshim rreth tij, nëpër vende të përshtatshme për të dëgjuar diçka, por ai që përgjon tani, do të hasë në shigjeta të zjarrta në pritë. (El-Xhinn, 9) Pa dyshim, ky ajet kur’anor dëshmon se i përgjuari gjithnjë gëzon mbrojtjen e Krijuesit të vet. Po ata që përgjojnë? Vetëm Allahu Fuqiplotë mund t’i mëshirojë!
Në kontekstin juridik përgjimi është mjet i kërkimit të provës! Pra, përmes përgjimit organet gjegjëse përpiqen të arrijnë zbulimin e veprave dhe kundërvajtjeve penale të një individi, të një grupi, të një organizimi kriminal, terrorist, apo, thjesht, të një subjekti të rrezikshëm për shoqërinë dhe shtetin e që janë nën vëzhgim për një kohë të gjatë. Në këtë rast, përgjimi bëhet me leje speciale nga organet e hetuesisë. Jo vetëm që përgjimet e kryera privatisht nuk mund të përdoren si provë por, as ato përgjime të kryera me leje nga organet përkatëse nuk përbëjnë kurrfarë provë juridike, sepse ato nuk përfshihen në provat ligjore, por në mjetet për kërkimin e provës.
Së këndejmi, shtrohet pyetja: kë e përgjuan të akuzuarit e LSDM-së (Nikolla Gruevski dhe Sasho Mijallkovi, dyshja e akuzuar nga opozita maqedonase për përgjim); pse përgjuan? Pse i përgjuan mbi 20 mijë vetë? Maqedonia paska qenë e rrezikuar nga 20 mijë kriminelë, terroristë, banditë, element puçistë, rrënues të vlerave demokratike etj? Vetëm këto kualifikime mund ta justifikojnë përgjimin, në të kundërt zë vend konstatimi se kemi të bëjmë me një akt psikopatik!
Lideri i opozitës maqedonase jo njëherë ka nënvizuar se pre e këtyre përgjimeve ka qenë edhe BFI në RM, gjegjësisht, funksionarët e këtij Institucioni më të lartë fetar! Shtroj pyetjen: si dukemi ne në sytë e kësaj dyshe të akuzuar nga opozita maqedonase? Cila është ajo arsye që i ka detyruar të na përgjojnë! Çfarë rrezikshmërie paraqet BFI për Republikën e Maqedonisë dhe për qytetarët jomyslimanë? Apo thjesht për të përhapaur panikun se myslimanët e vendit janë nxitës të urrejtjes ndërfetare, ashtu siç u publikuan këto ditë rezultatet e një ankete të kryer nga dy profesorët maqedonasë (sipas kësaj ankete, mbi njëzet për qind e maqedonasëve të anketuar janë të bindur se në shtet ushtrohet nxitja e urrejtjes ndërfetare, ndërsa kështu mendojnë zero për qind e myslimanëve).
Le të ndalemi për një çast dhe le të supozojmë se përgjimi në Maqedoni është kryer (mbase akoma kryhet?!) si masë parandaluese kundër “një dukurie të rrezikshme për të cilën ka pasur indikacione nga disa informacione paraprake”! Cili ishte rezultati i këtyre përgjimeve! Ç’rrezikshmëri paraqet biseda e një politikani me fëmijën e vet 5-6 vjeçar? Ç’rrezik mund të paraqesë biseda intime e një politikani me gruan e vet, apo me një të dashur? Ç’rrezik mund të paraqesë biseda intime e bashkëshortëve në krevat para gjumit? Fare në fund, ç’rrezik mund të paraqesë biseda e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të udhëheqësve të pushtetit? Sigurisht që, kur ky mjet prove, pra përgjimi, nuk arrin suksesin ligjor mbi një dukuri të shfaqur si rrezik potencial për shoqërinë, por, arrin cënimin e të drejtave themelore të njeriut, atëherë kemi të bëjme me një mjet të pushtetit për të ngritur një mekanizëm presioni dhe frike mbi çdokënd i cili nuk i bindet tekave të “Vëllait të Madh”. Në këtë rast, ky është krim dhe, para këtij krimi bijnë poshtë të gjitha akuzat për “puç” apo për bashkëpunim me shërbimet sekrete ndërkombëtare.
Komunikimi përmes telefonave apo korrespondencës është veprimtari njerëzore përmes të cilëve njerëzit mbajnë lidhje dashurie, profesionale, familjare, bisnesi, bashkëpunimi në mes vete. Është e drejtë e natyrshme që lind bashkë me njeriun dhe, ndërhyrja pa kurrfarë arsye në këtë të drejtë është akt kundërnjerëzor, është krim i pafalshëm. Ata që e falin, janë trashëgues të mentalitetit, të njëmendësisë, të gjakut, të gjenit si përçues i tipareve të trashëgueshme të “Vëllait të Madh”!
Fshehtësia e komunikimit është e përfshirë pothuajse në të gjitha konventat europiane –
ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut. Neni 8 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut thotë: “Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.” Neni 12 i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, në këtë drejtim është edhe më i vendosur. Sipas këtij neni, asnjëri nuk mund t’i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare në jetën, familjen, banesën ose
korrespondencën vetjake, si dhe sulmeve kundër nderit dhe prestigjit personal. Gjithkush i cili padrejtësohet nga ndërhyrje të tilla ka të drejtën absolute ligjore që të mbrohet nga këto sulme (përgjimi si ndërhyrje në privaci konsiderohet sulm). Ndërsa në Nenin 17 të Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike thuhet: “Askush nuk duhet të jetë objekt i ndërhyrjeve arbitrare ose të paligjshme në jetën e tij private, në familje, në shtëpi ose letërkëmbim, e as duhet t’i shkelet nderi dhe reputacioni në mënyrë të paligjshme. Secili ka të drejtë të ketë mbrojtje ligjore kundër ndërhyrjeve dhe shkeljeve të tilla”.
Pra, të gjitha konventat, deklaratat, e aktet e ndryshme ndërkombëtare e sanskionojnë rreptësisht (madje duke e kualifikuar edhe si sulm”).
Le ta sjellim këtu një rast të ndodhur në shtator të vitit 1978 me të cilën u përball Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Bëhet fjalë për Rastin Klass dhe të tjerët kundër Gjermanisë. Ky është rasti i parë me të cilën u përball GJEDNJ dhe shembull tipik që flet për të drejtat absolute
të njeriut në raport me përgjimin. Atë botë qeveria gjermane kishte dhënë një vendim për përgjimin e telefonatave për të parandaluar krime kundër sigurisë së brendshme dhe të jashtme në Gjermani. Pesë shtetas gjermanë (të ish-Gjermanisë Perëndimore) pretendonin se kishin rënë viktima të përgjimeve që shteti gjerman kryente për sigurinë e brendshme. Pas shqyrtimit të kësaj ankese, Gjykata evropiane thekson në vendimin e saj se, monitorimi i thirrjeve telefonike brenda fushës së të drejtës së privatësisë mund të bëhet vetëm kur ka prova të forta kundër personave që kryejnë ose përgatiten për të kryer krime të rënda.
të njeriut në raport me përgjimin. Atë botë qeveria gjermane kishte dhënë një vendim për përgjimin e telefonatave për të parandaluar krime kundër sigurisë së brendshme dhe të jashtme në Gjermani. Pesë shtetas gjermanë (të ish-Gjermanisë Perëndimore) pretendonin se kishin rënë viktima të përgjimeve që shteti gjerman kryente për sigurinë e brendshme. Pas shqyrtimit të kësaj ankese, Gjykata evropiane thekson në vendimin e saj se, monitorimi i thirrjeve telefonike brenda fushës së të drejtës së privatësisë mund të bëhet vetëm kur ka prova të forta kundër personave që kryejnë ose përgatiten për të kryer krime të rënda.
Në këtë kontekst, BFI në RM por dhe unë si prijës i myslimanëve të vendit, me të drejtë insistojmë të dimë se ç’krime të rënda paskemi përgatitur kundër shoqërisë, rendit kushtetues apo kundër shtetit? Gjithsesi që, përgjigjen do ta kërkojmë në organet e drejtësisë, qoftë në këto organe që po u kontrolluakan që të gjitha nga pushteti aktual, qoftë në gjykatat që do të rikomponohen apo edhe (pse jo?!) para gjykatave ndërkombëtare. Paraprakisht, jemi thellësisht të bindur se përgjimi i BFI-së dhe i njerëzve tanë është bërë për dy motive: për të hasur në ndonjë element eventual përmes të cilit do të shantazhoheshim apo, thjesht, për motive si pasojë e çrregullimeve psikike! Në të dyja rastet, për llogarinë tonë, ky pushtet e humb kredibilitetin për të na udhëhequr, nuk është e denjë për të drejtuar shtet dhe, si e tillë, duhet të tërhiqet duke kërkuar falje publike dhe duke shprehur gatishmëri burrërore për t’u përballur me sanskionimet ligjore mbi përgjimet e paligjshme.
Gjykuar nga prizmi islam, mbase edhe duhet shkëputur çdo bashkëpunim me një subjekt që është në gjendje “për ta hëngër mishin e vëllait të vet të vdekur”.
Zbatuesit e përgjimit gjithsesi që janë në rolin e spiunit modern, ndërsa porositësit e përgjimit të privacisë kanë dy synime: të përhapin sa më shumë informacione për përgojime të kundërshtarit me qëllim të turpërimit dhe të shantazhimit të tyre. Përgjimi dhe përgojimi arrijnë kategorinë e aktit të nekro-kanibalizmit! E tmerrshme. Mjerë shoqëria me këtë kategori personash. Në ajetin 12 të sures El-Huxhurat thuhet : “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun…”
H. Sulejman ef. Rexhepi
(Autori është Kryetar i BFI në RM)