Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi është takuar me kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu, me të cilin janë pajtuar që të merrnim masa për të shtuar investimet turke në Kosovë.
Ja postimi i Thaçit në Facebook.
Në ditën e dytë të vizitës sime në Turqi, pata një takim shumë miqësor me kryeministrin Ahmet Davutoglu, i cili më përgëzoi për qeverinë e re dhe shprehu dashamirësinë e tij të madhe për Kosovën, duke më kërkuar që t’ia përcjelli në Prishtinë urimet e tij më të mira për festën e pavarësisë.
Me kryeministrin Davutoglu diskutuam për zhvillimet e fundit politike dhe bashkëpunimin ekonomik, si dhe u pajtuam që të merrnim masa për të shtuar volumin e investimeve turke në Kosovë.
Ai premtoi se diplomacia turke dhe ai personalisht do të vazhdojnë t’i mbrojnë interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe se së shpejti do të kthehet me shumë dëshirë në Kosovë për vizitë zyrtare, por kësaj radhe si kryeministër.