Fillojnë hetimet ndaj Behgjet Pacollit

Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën ligjore ndaj zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, për konflikt interesi me rastin e nënshkrimit të memorandumeve në Nigeri, si përfaqësues i kompanisë “Seagas”.


Procedura është bazuar në raportet e “Kohës Ditore”, të publikuara javën e shkuar. Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë, i ka thënë “Kohës Ditore” të enjten se tek pasi të përfundojë e gjithë procedura, do të mund të flasë publikisht për rastin.

Kjo, për shkak se me ligj zyrtarëve të Agjencisë u imponohet të mbajnë të fshehura informacionet gjatë procedurës së hetimit. Megjithëqë ka premtuar publikimin e rezultateve, kur të jepet fjala e fundit në këtë rast.

“Ne i kemi përcjellë të gjitha shkrimet. Në bazë të Ligjit Nr.04/L-051 (Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik), e gjithë procedura është e mbyllur për publikun”, ka thënë Preteni. “Publik do të bëhet vetëm vendimi final”.
Gazeta ka publikuar gjatë javës së shkuar dy raporte, që flasin për përfaqësim biznesesh nga Pacolli, ndonëse ka funksion prej zëvendëskryeministri.

Në të parin është treguar se në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë së shtetit nigerian, me pompozitet është lansuar lajmi që Qeveria e Kosovës do të ndërtojë një impiant 500 megavatësh të energjisë elektrike.

Në emër të Kosovës, sipas ueb-faqes “imostate.gov.ng”, firmën e ka vënë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

Në të dytin gazeta ka publikuar përmbajtje të dy memorandumeve ku Pacolli vë nënshkrimin në cilësinë e përfaqësuesit të firmës “Seagas”. /Telegrafi/

Artikulli paraprakNgadalësim botëror i internetit, fajtor Anonymous?
Artikulli vijuesNje molle ne dite, mban mjekun larg jush