Të gjitha qeveritë e Kosovës që nga paslufta kanë dështuar që të krijojnë një zinxhir instancash që do të adresonte ankesat e grave për trajtim të padinjitetshëm, neglizhencë e ofendim në Klinikën e Gjinekologjisë së QKUK-së.
Institucionet e shëndetësisë nuk janë alarmuar asnjëherë nga raportimet mediale për mënyrën sesi trajtohen gratë në këtë klinikë.
Ministria e Shëndetësisë në të gjitha mandatet është arsyetuar se është duke ndërtuar infrastrukturën ligjore. Menaxherët e QKUK-së po ashtu nuk janë përpjekur fare që ta ndryshojnë këtë praktikë. Ndërsa mjekët dhe infermierët e Gjinekologjisë asnjëherë nuk janë distancuar nga veprimet e pahijshme dhe joprofesionale të kolegëve të tyre. Derisa pacienti kurrë nuk ka arritur të dalë në radhë të parë, ankesat kanë vazhduar të shtohen.
Ndonëse ekziston një hierarki e komisioneve të cilat janë të caktuara për të shqyrtuar ankesat, rezultatet deri më tash nuk janë parë. Nevojën për trajtim më të dinjitetshëm të grave e ka konsideruar domosdoshmëri edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Mungesa e një adrese e cila seriozisht do t’i trajtonte ankesat e ka degraduar raportin mjek-pacient. Nevojën për të qenë pacienti në qendër të sistemit shëndetësor dhe që të rritet llogaridhënia e stafit mjekësor e sheh si të domosdoshëm edhe drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kosovë (OBSh), Skënder Syla. /Koha Ditore/